Lajme Shqip Monday, 06 June 2011 12:13

Tiranë – Kolegji Zgjedhor pritet të zbardhë të hënën (sot) vendimin e marrë më 3 qershor, i cili parashikon pushimin e çështjes së kërkesës ankimore të Partisë Socialiste për Bashkinë Tiranë, duke lënë në fuqi vendimin e KQZ-së, që nxjerr fitues kandidatin e koalicionit “Aleanca për Qytetarin”, Lulzim Basha.

Kodi Zgjedhor (neni 158, pika 6), përcakton se “Kolegji Zgjedhor është i detyruar të zbardhë vendimin jo më vonë se tri ditë nga data e dhënies së tij”.

Ndërkohë, pas zbardhjes së këtij vendimi nga trupa gjyqësore, përfaqësues ligjorë të PS-së kanë paralajmëruar  hartimin dhe më pas dorëzimin në Kolegj të një padie të re, që sërish konteston vendimmarrjen e KQZ-së lidhur me procesin zgjedhor për kryetarin e bashkisë Tiranë. Koha në dispozicion për këtë nismë të re është 24 orë, pas zbardhjes së vendimit të 3 qershorit.

Të premten, Kolegji Zgjedhor pas shqyrtimit të kërkesës ankimore të PS-së, e cila kundërshtonte vendimin e KQZ-në për vlerësimin e fletëvotimeve të kontestuara për kryetarin e Bashkisë së Tiranës, vendosi pushimin e kësaj çështje duke lënë në fuqi vendimin e KQZ-së të datës 23 maj, sipas të cilit rezultonte fitues kandidati i PD-së, Lulzim Basha, me 81 vota më shumë se kandidati socialist, Edi Rama.