Lajme Shqip Friday, 03 June 2011 21:40

Tiranë – Kolegji Zgjedhor pushoi sot kërkesën ankimore të Partisë Socialiste, e cila kundërshton vendimin e KQZ-së për vlerësimin e fletëvotimeve të kontestuara për kryetarin e Bashkisë së Tiranës.

Partia Socialiste ka kërkuar nga Kolegji Zgjedhor pavlefshmërinë e vendimeve që KQZ ka marrë në datat 18 dhe 23 maj, që kanë të bëjnë me numërimin e fletëve të hedhura në kutinë e gabuar.

Kolegji Zgjedhor, i cili ka si relator të çështjes gjyqtarin Tom Ndreca, u mblodh rreth orës 17:00 të pasdites së sotme, për të shqyrtuar provat materiale të dorëzuara sot në Kolegj nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe më pas u tërhoq për të marrë vendimin mbi këtë çështje.

Rreth 4 orë pas tërheqjes së trupës gjyqësore për të marrë vendimin, Kolegji Zgjedhor komunikoi vendimin për të pushuar çështjen që ka si objekt kërkesën e PS-së për të shpallur pavlefshmërinë e vendimeve të KQZ-së për rezultatin e Tiranës.

Sipas nenit 158 të Kodit Zgjedhor, në varësi nga çështjet në shqyrtim, Kolegji Zgjedhor mund të vendosë për a) pushimin e gjykimit, b) gjykimin e çështjes në themel ose c) detyrimin e KQZ-së për të marrë vendim.

Po ky nen i Kodit Zgjedhor përcakton se pushimi i gjykimit vendoset kur Kolegji Zgjedhor konstaton se ankimi është paraqitur jashtë afateve të përcaktuara në këtë Kod, ose për mungesë kompetence. Kur Kolegji Zgjedhor vendos mungesën e kompetencës, ia dërgon çështjen organit kompetent.

Sipas juristëve, vendimi i marrë nga Kolegji do të thotë se çështja ose nuk përmban lëndë ankimore, ose lë në fuqi vendimet e mëparshme të KQZ-së, që nënkupton rrëzimin e kërkesës ankimore.

Ndërkohë, Kodi Zgjedhor përcakton se Kolegji është i detyruar të zbardhë vendimin jo më vonë se tre ditë nga data e dhënies së tij.