Lajme Shqip Thursday, 02 June 2011 17:09

Tiranë – Kolegji Zgjedhor pritet të shqyrtojë të premten kërkesën ankimore të Partisë Socialiste, që kërkon shpalljen të paligjshme të vendimeve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për rezultatin zgjedhor për bashkinë e Tiranës.

Ankimimi, që ka për relator gjyqtarin Tom Ndreca, kërkon pavlefshmërinë e aktit të miratuar me shumicë votash nga KQZ për numërimin e fletëvotimeve të rregullta për kryetar të bashkisë në Tiranë, të hedhura në kutitë e gabuara si dhe pavlefshmërinë e vendimit të KQZ-së të datës 23 maj për ndryshimin e tabelave të rezultateve për Tiranën.

Një javë më parë (27 maj), Kolegji Zgjedhor nuk pranoi kërkesën e PS-së për bashkimin në një, të këtyre objekt-padive, duke argumentuar se ky subjekt zgjedhor nuk kishte ndjekur procedurat e kërkuara në kërkesën e saj për të shtuar objekt padinë.

Për këtë arsye, PS hoqi dorë nga gjykimi i padisë vetëm për pavlefshmërinë e aktit për numërimin e fletëve të rregullta të votimit për kryetar të bashkisë në Tiranë të hedhura në kutitë e gabuara, që ishte parashikuar të shqyrtohej sot nga Kolegji Zgjedhor dhe paraqiti një padi më të plotë, në të cilën përfshihet edhe kërkesa për pavlefshmërinë e vendimit të KQZ-së të datës 23 maj për ndryshimin e tabelave të rezultateve për Tiranën.