Lajme Shqip Friday, 03 June 2011 22:30

Tiranë – Kryeministri Sali Berisha deklaroi sot në mbrëmje se më 8 maj, koalicioni “Aleanca për qytetarin” ka fituar në shkallë vendi votën popullore, pasi ka marrë 17 për qind më shumë vota se sa koalicioni “Aleanca për të ardhmen” dhe kjo, sipas tij, është detyrim ndaj qytetarëve që ky koalicion të vijojë më tej me reformat në të ardhmen.

I ftuar në emisionin televiziv “Log” në TVSH, Berisha bëri një analizë të rezultateve që arriti koalicioni “Aleanca për qytetarin” në zgjedhjet vendore të 8 majit.

Sipas tij, në Tiranë fitorja është e katërfishtë, pasi janë fituar këshillat dhe kryetarët e minibashkive dhe këshilli dhe kryetari i bashkisë së Tiranës.

“Kjo është një fitore jashtëzakonisht e rëndësishme për PD-në dhe koalicionin që ajo drejton. Është e vërtetë që PD ka humbur disa bashki të çmuara, po në tërësi ky koalicion ka 43 mijë vota më shumë vetëm në qytetet e vendit se sa koalicioni ‘Aleanca për të ardhmen’ dhe në shkallë vendi ka 140 mijë vota më shumë, pra 17 % më shumë se sa koalicioni tjetër”, tha Berisha.

Sipas tij, “PD ka marrë qartësisht më pak vota se PS, por kjo është tërësisht relative, sepse PD u ka lënë aleatëve të saj rreth 11 bashki dhe komuna, ndërsa PS u ka lënë aleatëve të vetë vetëm 9 komuna”.

“Po ti shprehim në elektorat, ne u kemi lënë aleatëve tanë rreth 30 herë më tepër elektorat se sa PS për aleatët e vet. Për këtë ne nuk kemi asnjë keqardhje, pasi sot në këtë koalicion renditet partia e tretë, e katërt dhe e pestë e vendit. Filozofia ime është koalicioni, ndaj më vjen mirë që aleatët kanë performuar kaq mirë në këto zgjedhje”, tha Berisha.

Kryeministri tha se në tërësi Partia Demokratike dhe kandidati i saj për Tiranën zhvilloi një fushatë zgjedhore tërësisht pozitive dhe qytetare.

Kryeministri Berisha komentoi edhe ngjarjen e dy ditëve më parë, ku pretendohej rrëmbimi i bashkëshortes së kryetarit të ri të Bashkisë së Kavajës, dhe tërhoqi vëmendjen për kontekstin politik në të cilën u përpoq të vendosej kjo ngjarje, e cila në fakt rezultoi tërësisht e sajuar.