Lajme Shqip Wednesday, 01 June 2011 12:40

Prishtinë – Komisioni për Sigurinë dhe Bashkëpunimin në Evropë (Komisioni Amerikan i Helsinkit) në Senatin e SHBA-së, do të diskutojë sot mbi ecurinë e procesit elektoral, problemet me numërimin e votave dhe paqëndrueshmërinë politike në Shqipëri. Lajmi është bërë publik në sajtin zyrtar të KAH. Në këtë seancë raportuese, që do të bëhet përpara trupës së Komisionit të Helsinkit, do të flasë kreu i misionit të vëzhguesve të OSBE-ODIHR-it në Shqipëri, Jonathan Stonestreet, i cili pritet të prezantojë edhe raportin paraprak mbi votimet, si dhe mbi numërimin e votave.

Më pas fjala do t’i kalojë drejtorit rajonal për Evropën Qendrore dhe Lindore në Institutin Kombëtar Demokratik për Punët e Jashtme, Rob Benjamin, për ta mbyllur më pas me fjalën e drejtorit të Qendrës Strategjike dhe Studimeve Ndërkombëtare, Janusz Bugajski.

Komisioni i Helsinkit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e vlerëson tensionin politik që po shoqëron situatën paszgjedhore në Shqipëri, si vazhdim i krizës politike të nisur që nga viti 2009.

Në komunikatën të publikuar pak ditë më parë në faqen zyrtare të Komisionit, thuhej se 8 maji ishte një mundësi për të siguruar kredibilitet, por fatkeqësisht, zgjedhjet dëshmuan vijimësinë e krizës dyvjeçare.

“Pas gati dy vjetësh në një situatë politike që prej zgjedhjeve parlamentare të qershorit 2009, Shqipëria mbajti zgjedhjet lokale më 8 maj 2011. Këto zgjedhje ishin një mundësi për të siguruar kredibilitetin e nevojshëm për procesin elektoral dhe fundin e tensionit politik që ngadalësoi tranzicionin demokratik të Shqipërisë. Fatkeqësisht, këto zgjedhje lokale dëshmuan vazhdimësinë e kësaj krize. Shqipëria është një vend anëtar i NATO-s dhe aspiron për t’u bërë anëtare e Bashkimit Evropian”- thuhej në komunikatë.