Lajme Shqip Monday, 06 June 2011 19:37

Tiranë – “Vendimi i Kolegjit Zgjedhor është i papranueshëm”- ka deklaruar kryetari i PS-së, Edi Rama, ndërsa gjatë një konference për mediat akuzoi se Kolegji Zgjedhor shkeli edhe njëherë ligjin, duke mos zbardhur vendimin e 3 Qershorit.

“Ka skaduar afati. Kolegji Zgjedhor ende nuk ka dhënë asgjë të shkruar për vendimin e turpit të 3 ditëve më parë. Askush nuk e di arsyen. Këtë institucion e detyron ligji të shprehë brenda 3 ditësh këtë vendim. Kolegji nuk e can kokën as se kjo cështje i intereson opinionit publik dhe miqëve e partnerëve ndërkombëtarë”, deklaroi kryetari socialist.

Rama thotë se kjo përbën një tjetër shkelje ligji dhe akuzoi kryeminsitrin Berisha për këtë skenar.

“Sot ndeshemi me një shkelje të re të ligjit nga vetë gjykatësit që duan të vënë drejtësi. Është Berisha ai që e organizon të gjithë këtë maskaradë së bashku me KQZ-në e Ristanit”.

Për këtë arsye, sipas kryetarit socialist, miqtë ndërkombëtarë duhet të nisin urgjentisht ekspertizën e procesit zgjedhor pasi sipas tij “rregullat e lojës nuk mund të ndryshojë në fund të lojës. Këtë e thotë edhe vetë gjykata amerikane. Apel ndërkombëtarëve të ndëhyjnë urgjentisht për të kërkuar një ekspertizë për zgjedhjet që të mos prishen ekuilibrat e brishtë të demokracisë”. Ndërkohë Partia Socialiste dorëzioi këtë të të hënë një tjetër padi në Kolegjin Zgjedhor, në kuadër të betejës së tyre për rezultatin e Tiranës.