Lajme Shqip Friday, 03 June 2011 15:17

Tiranë – Kolegji Zgjedhor vendosi të shtyjë për në orën 17:00 vijimin e seancës gjyqësore ku po shqyrtohet kërkesa ankimore të Partisë Socialiste, e cila konteston vendimin e KQZ-së për vlerësimin e fletëvotimeve të kontestuara për kryetarin e bashkisë Tiranë.

Ky vendim u mor pasi trupa gjyqësore i kërkoi KQZ-së të sjellë tabelat përmbyllëse të rezultateve të KZAZ-ve të Tiranës, në kuadër të shqyrtimit të ankimimit të socialistëve.

Kolegji do të verifikojë nëse tabelat janë përmbyllur para 18 majit, ditës kur KQZ-ja miratoi në parim aktin normativ, në bazë të të cilit nisi dhe numërimi i votave të kontestuara, të hedhura në kutitë e gabuara. Ky akt normativ dhe ky veprim kundërshtohet nga opozita.

******************************************************

Tiranë – Kolegji Zgjedhor pranë Gjykatës së Apelit i kërkoi sot Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) tabelat përmbyllëse të rezultateve të KZAZ-ve të Tiranës, në kuadër të shqyrtimit të kërkesës ankimore të PS-së për rezultatin e kryetarit të bashkisë.

Trupa gjyqësore do të verifikojë nëse tabelat janë përmbyllur para 18 majit, ditës kur KQZ-ja miratoi në parim aktin normativ, në bazë të të cilit nisi dhe numërimi i votave të kontestuara, të hedhura në kutitë e gabuara. Ky akt normativ dhe ky veprim kundërshtohet nga opozita.

Kolegji Zgjedhor po vijon të premten shqyrtimin e kërkesës ankimore të PS-së, e cila konteston vendimin e KQZ-së për vlerësimin e fletëvotimeve të kontestuara për kryetarin e bashkisë Tiranë.

Seanca e sotme, e nisur rreth orës 10:30, fillimisht dëgjoi pretendimet e përfaqësuesve ligjorë të PS-së, të cilët  i kërkuan trupës gjyqësore pavlefshmërinë e vendimit të KQZ të miratuar më 23 maj, si dhe anullimin e veprimeve administrative të KQZ-së.

Pas një pushimi gjatë orëve të mesditës, Kolegji Zgjedhor rinisi seancën me dëgjimin e pretendimeve të palës së paditur, KQZ-së. Drejtoresha e zyrës juridike në KQZ, Dëshira Pasko, e kundërshtoi ankimimin e PS-së si “të pambështetur në ligj”.

Nga ana e tyre përfaqësuesit ligjorë të PD-së, mbrojtën aktin normativ të KQZ-së për numërimin e votave të kontestuara, pasi sipas tyre, duhet lexuar vullneti i çdo zgjedhësi, që shprehet në fletën e votimit.

Relator i kësaj çështjeje është caktuar me short gjyqtari i Kolegjit, Tom Ndreca.