Lajme Shqip Tuesday, 07 June 2011 07:30

Tiranë – Partia Demokratike e Shqipërisë, i bëri thirrje mbrëmë Kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama, që të heqë dorë nga shantazhi dhe presioni ndaj institucioneve të pavarura dhe të pranojë funksionimin e shtetit ligjor.
“Megjithë detyrimin e çdo politikani, por edhe thirrjet e përsëritura të komunitetit ndërkombëtar, për të respektuar pavarësinë e institucioneve kushtetuese demokratike të Shqipërisë, vendimet e tyre dhe shtetin ligjor, Edi Rama vazhdon çdo ditë me presione dhe kërcënime dhe deklaron se nuk i njeh vendimet e tyre”, tha zdhënësja e PD-së, Albana Mustafaraj.
Përmes një deklarate për shtyp, Mustafaraj siguroi se “PD do të presë me durim dhe respekt vendimet e institucioneve të pavarura të vendit”.
“Çdo përpjekje për të përbaltur procesin dhe shumë më keq edhe për të kërcënuar Kolegjin Zgjedhor, është tërësisht e pavend dhe vetëm fakton motivet e vërteta të këtij qëndrimi absurd dhe agresiv”, tha ajo.
Sipas saj, “Edi Rama duhet të sqaroje se përse nuk dëshiron numërimin e çdo vote, por kërkon të mbysë zërin e qytetarëve”.