Lajme Shqip Wednesday, 01 June 2011 11:26

Tiranë – Ambasadorja e Gjermanisë në Shqipëri, Carola Müller-Holtkemper ka deklaruar se “ka ardhur koha që Kolegji Zgjedhor i Gjykatës së Apelit, të marrë një vendim të vetin”, ndërsa shpreh besimin që “ky vendim të merret brenda kuadrit ligjor ekzistues në Shqipëri, në mënyrë sa më transparente dhe i pandikuar politikisht”.

Në një intervistë për Deutsche Ëelle-n(DË), ambasadorja gjermane nënvizon se BE-ja është i gatshëm të asistojë, nëse pala shqiptare kërkon asistencë dhe konsulencë.

“Ne jemi të gatshëm ta bëjmë këtë në rast se do të na kërkohet në marrjen e këtij vendimi të rëndësishëm. Por më lejoni të them që ky është një proces shqiptar dhe partitë politike duhet të bien dakord dhe të gjejnë konsensusin me njëra tjetrën”, tha Müller-Holtkemper.

Në këtë pikë, ambasadorja përmend asistencën që mund të jepej nga Komisioni i Venecias, që në këtë fushë mund të ishte një institucion që disponon përvojën dhe kompetencën e nevojshme.

Diplomatja gjermane rithekson se në këtë fazë, në të cilën ndodhet procesi zgjedhor, që nga 8 maji, fjalën e ka Kolegji Zgjedhor i Gjykatës së Apelit për vendimin përfundimtar.

“Krahas kësaj do të ishte normale që partitë politike shqiptare, në vend që të fajësojnë dhe akuzojnë njëra-tjetrën të arrijnë të gjejnë rrugën e bashkëpunimit për të mirën e interesit kombëtar”, përfundoi ambasadorja e Gjermanisë në Tiranë Carola Müller-Holtkemper.