Lajme Shqip Friday, 03 June 2011 13:31

Kukës – Kryetari i LSI-së, Ilir Meta, nga qyteti i Kukësit, ku zhvilloi një takim me drejtues lokalë dhe këshilltarë të LSI-së në pushtetin vendor, theksoi nevojën e respektimit të votës së lirë të votuesve.

“Presim nga kolegji zgjedhor respektimin e votës së lirë, besojmë se është drejtësia ajo, që i duhet vendit e të gjithë duhet të pranojmë vendimin e kolegjit”, tha Meta.

Ai vuri në dukje se në këtë drejtim presion ka bërë opozita, gjë që nuk duhej të kishte ndodhur. “Në fakt presion ka bërë opozita, përmes nxitjes së protestave ndaj institucioneve. Kjo nuk duhej të kishte ndodhur, pasi qytetarët e Tiranës e kanë dhënë verdiktin e tyre demokratik”, u shpreh Meta.

Duke shprehur bashkimin me vlerësimin e përfaqësuesit të OSBE-ODHIR, Kantrimen, se fitorja me rezultat të ngushtë është e vështirë, Meta tha se “i tillë ishte verdikti i qytetarëve. Rezultati i ngushtë është rast i veçantë”, ndërsa theksoi se “presionet për të arritur diçka janë një politikë e vjetër”.