Lajme Shqip Wednesday, 01 June 2011 09:40

Tiranë – Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vijon sot procesin e numërimit edhe të 15 kutive me vota të kontestuara, nga 26 kuti gjithsej, që i përkasin katër KZAZ-ve të bashkisë Tiranë.

Dje, KQZ pas hapjes së 11 kutive me fletëvotime të kontestuara, konstatoi 11 vota të vlefshme, prej të cilave 4 i përkasin kandidatit të “Aleancës për Qytetarin”, Lulzim Basha, ndërsa 7 të tjera kandidatit të koalicionit “Aleanca për të Ardhmen”, Edi Rama.

Një nga kutitë e votimit nuk u mor në shqyrtim, pasi nuk korrespondonte numri me librin e protokolleve.

KQZ nisi mesditën e djeshme procedurën e numërimit të votave të kontestuara, pas miratimit më herët të kërkesës ankimore të PD-së për kqyrjen dhe rivlerësimin e këtyre votave.

Ky proces u shoqërua me kundërshtimin e përfaqësuesve të opozitës, që e konsiderojnë atë të paligjshëm dhe në shkelje të kodit zgjedhor.