Lajme Shqip Thursday, 02 June 2011 22:00

Tiranë – Komisioni Qendror i Zgjedhjeve rrëzoi kërkesat e Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike.

KQZ rrëzoi kërkesat e PS për për pavlefshmërinë dhe ndryshimin në tabelat e rezultateve në KZAZ 49, njësia 5 dhe të tabelës së rezultateve përfundimtare të Bashkisë Tiranë.

Njëherësh, KQZ rrëzoi edhe kërkesën e PD për rivlerësimin e votave të kontestuara në 117 qendra votimi, pasi, sipas kryetarit Arben Ristani, KQZ është shprehur njëherë, i hapi kutitë dhe vlerësoi vullnetin e zgjedhësve.

Ristani u shpreh pro pranimit të kërkesës së dytë të PD për ndryshim të tabelës së rezultatit për kryetar bashkie në Tiranë pas vlerësimit të votave në 26 kutive që u hapën dje. Por meqënëse votimi për këtë qëllim kërkonte shumicë të cilësuar (5 vota), kjo kërkesë nuk arriti votat e duhura, duke u rrëzuar.

Me rrëzimin e kësaj kërkese, KQZ ka mbajtur në fuqi tabelat e rezultateve përfundimtare për kryetar bashkie në Tiranë të miratuar në 23 maj, ku kandidati i djathtë Lulzim Basha mori 81 vota më shumë se rivali i tij, Rama.