Lajme Shqip Sunday, 05 June 2011 15:37

Tiranë – Partia Socialiste pritet të kërkojë që të verifikohet edhe çështja e mospërputhjes së numrit të votave me numrin e votuesve, të gjendura në kutitë për këshilltarë të Bashkisë së Tiranës. Sipas burimeve nga selia rozë, e marta do të jetë shansi i fundit i socialisteve për betejën për kryeqytetin.

Këtë herë përveç padisë për kundërshtimin e vendimit për ndryshimin e rezultatit, socialistët do të kërkojnë që të verifikohet edhe çështja e mospërputhjes së shifrave.

Mospërputhja e shifrave është pranuar edhe nga anëtarë të KQZ-së, por është shpjeguar me pretendimin se fletët që janë tepër në në kutitë për kandidatë, mungojnë në kutitë për këshilltarë. Sipas shifrave zyrtare të KQZ-së, në kryeqytet kanë marrë pjesë në zgjedhje 256.507 qytetarë.

Juristët e PS-së janë në pritje të zbardhjes së vendimit të Kolegjit Zgjedhor për të ndërmarë edhe nismën ligjore.Vendimi i Kolegjit Zgjedhor pritet të zbardhet ditën e hënë dhe socialistët do të kenë kohë 24 orë për t’a shqyrtuar dhe për të hartuar edhe kërkesën e re që pritet të depozitohet në Kolegjin Zgjedhor.

Kolegji Zgjedhor komunikoi mbrëmjen e së premtes vendimin për të pushuar çështjen që ka si objekt kërkesën e PS-së për të shpallur pavlefshmërinë e vendimeve të KQZ-së për rezultatin e Tiranës, duke lënë kështu në fuqi vendimin e KQZ-së, i cili shpall fitues me 81 vota avantazh kandidatin e koalicionit “Aleanca për qytetarin”, Lulzim Basha.

Kolegji Zgjedhor ka tre ditë afat për të zbardhur vendimin me të cilin pushoi kërkesën ankimore të Partisë Socialiste, e cila kundërshtonte KQZ-në për vlerësimin e fletëvotimeve të kontestuara për kryetarin e Bashkisë së Tiranës.

Sipas nenit 158 të Kodit Zgjedhor, Kolegji është i detyruar të zbardhë vendimin jo më vonë se tre ditë nga data e dhënies së tij. Sipas nenit 158 të Kodit Zgjedhor, në varësi nga çështjet në shqyrtim, Kolegji Zgjedhor mund të vendosë për a) pushimin e gjykimit, b) gjykimin e çështjes në themel ose c) detyrimin e KQZ-së për të marrë vendim.