Lajme Shqip Friday, 02 September 2011 16:39

Tiranë – Kolegji Zgjedhor vendosi sot të detyrojë Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) të pranojë shqyrtimin e kërkesës ankimore të Partisë Demokratike për zgjedhjet për kryetar në komunën Shalë (qarku Shkodër).

Një javë më parë Komisioni Zgjedhor nuk arriti të merrte një vendim për ankimimin e PD-së, për shkak se mungonte një nga anëtarët e djathtë të KQZ-së dhe, sipas kodit zgjedhor, vendimi për të nisur shqyrtimin e një çështje duhet të marrë të paktën katër vota.

Në padinë që përfaqësuesit ligjorë të PD-së depozituan në Kolegjin Zgjedhor i kërkonin trupës gjyqësore të detyrojë KQZ-në të shprehet lidhur me këtë çështje, pasi ajo nuk u shqyrtua më parë.

Në mbledhjen e KQZ-së të datës 26 gusht përfaqësuesit e PS-së në Komision kundërshtuan autorizimin e përfaqësuesit të PD-së, Ivi Kaso, i ngarkuar për të ndjekur procedurën ankimore. Sipas nenit 26 të kodit zgjedhor, anëtarët e propozuar nga opozita në KQZ thanë se përfaqësuesi i çdo subjekti nuk ka të drejtë të lërë zëvendës të tij.

Më 21 gusht në komunën Shalë u mbajtën zgjedhjet për kryetar, ku pas numërimit të votave në KQZ, fitues u shpall kandidati i “Koalicionit për të ardhmen”, Bale Vuksani, me 644 vota, kundrejt rivalit të tij të koalicionit “Aleanca për qytetarin”, Dedë Tonaj, me 642 vota.

Komuna Shalë po mban peng shpalljen nga KQZ të rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve vendore të 8 majit. Një ditë më parë kryetari i KQZ-së, Arben Ristani deklaroi se mund të kemi një rezultat përfundimtar brenda dhjetë ditëve në rastin më të mirë dhe nëse do të kemi një proces tjetër në Shalë, brenda muajit shtator mund të shpallet rezultati.