Lajme Shqip Saturday, 04 June 2011 10:15

Tiranë – Kolegji Zgjedhor ka tre ditë afat për të zbardhur vendimin me të cilin pushoi kërkesën ankimore të Partisë Socialiste, e cila kundërshtonte KQZ-në për vlerësimin e fletëvotimeve të kontestuara për kryetarin e Bashkisë së Tiranës.

Sipas nenit 158 të Kodit Zgjedhor, Kolegji është i detyruar të zbardhë vendimin jo më vonë se tre ditë nga data e dhënies së tij.

Kolegji Zgjedhor komunikoi mbrëmjen e djeshme vendimin për të pushuar çështjen që ka si objekt kërkesën e PS-së për të shpallur pavlefshmërinë e vendimeve të KQZ-së për rezultatin e Tiranës, duke lënë kështu në fuqi vendimin e KQZ-së, i cili shpall fitues me 81 vota avantazh kandidatin e koalicionit “Aleanca për qytetarin”, Lulzim Basha.

Sipas nenit 158 të Kodit Zgjedhor, në varësi nga çështjet në shqyrtim, Kolegji Zgjedhor mund të vendosë për: a) pushimin e gjykimit, b) gjykimin e çështjes në themel ose c) detyrimin e KQZ-së për të marrë vendim.

Po ky nen i Kodit Zgjedhor përcakton se pushimi i gjykimit vendoset kur Kolegji Zgjedhor konstaton se ankimi është paraqitur jashtë afateve të përcaktuara në këtë Kod, ose për mungesë kompetence. Kur Kolegji Zgjedhor vendos mungesën e kompetencës, ia dërgon çështjen organit kompetent.

Ndërkohë, sipas interpretimit të juristëve, vendimi i marrë nga Kolegji do të thotë se çështja ose nuk përmban lëndë ankimore, ose lë në fuqi vendimet e mëparshme të KQZ-së, që nënkupton rrëzimin e kërkesës ankimore.