Lajme Shqip Tuesday, 07 June 2011 19:26

Tiranë – Kolegji Zgjedhor pranë Gjykatës së Apelit përcaktoi të martën me short trupën e gjyqtarëve që do të shqyrtojnë kërkesën ankimore të Partisë Socialiste që kërkon rrëzimin e dy vendimeve të KQZ-se për tabelat e rezultateve për bashkinë e Tiranës.

Në shortin e hedhur pasditen e sotme relatore e çështjes u caktua gjyqtarja Dhurata Haveri, ndërkohë që seanca do të zhvillohet më datën 13 qershor, në ora 10.00. Pjese e trupës gjyqesore do të jenë Sashenka Jonuzi, Astrit Kalaja, Marie Qirjazi dhe Meriban Mullai.

Përfaqësuesit ligjorë të PS-së depozituan të hënën në mbrëmje në Kolegjin Zgjedhor kërkesë padinë e tyre të tretë për rezultatin e bashkisë Tiranë. Ankesa e re e socialisteve kërkon pavlefshmeri të vendimit nr. 710 të KQZ-së, që ka të bëjë me rezultatin e njësisë bashkiake nr. 5 dhe të vendimit nr. 711, i cili shpall kandidatin e koalicionit “Aleanca per Qytetarin”, Lulzim Basha, fitues për postin e kryetarit të bashkisë së Tiranës me 81 vota më shumë se kandidati i koalicionit “Aleanca për të Ardhmen”, Edi Rama.

Sipas kodit elektoral, Kolegji Zgjedhor ka 10 ditë afat për të shqyrtuar dhe dhënë vendim për këtë kërkesë.