Lajme Shqip Saturday, 04 June 2011 17:44

Tiranë – Mbrëmë ishte një natë që shtoi errësirën mbi sistemin e drejtësisë shqiptare dhe thelloi krizën e demokracisë në Shqipëri, duke na vënë para syve provën e dhimbshme të legalizimit të veprimtarisë së paligjshme të Komisionit Qendror të Vjedhjeve, për grabitjen në tavolinë të fitores së opozitës në Tiranë, ka deklaruar kreu i socialistëve, Edi Rama, pas publikimit të vendimit të Kolegjit Zgjedhor.

Kolegji Zgjedhor ka bërë të bardhën të zezë dhe të zezën të bardhë, duke sfiduar në kor me Saliun e me Ristanin sovranitetin e popullit, Kushtetutën, ligjin e zgjedhjeve, opinionet e shqetësime publike të misionit të ODIHR-it si edhe të të gjithë miqve e partnerëve ndërkombëtarë të Shqipërisë.

Vendimmarrja e mbrëmshme e kolegjit ka dëshmuar edhe njëherë, se fjala drejtësi në Shqipëri është zbrazur, mu si një guackë e mbetur mbi rërën e rrëshqitshme ku, sipas rastit, dallgët e presioneve të pushtetit a të ryshfetit, e kthejnë mbarë e mbrapshtë guackën sipas interesash e qëllimesh që bien ndesh me drejtësinë. “Odiseja e këtyre zgjedhjeve në Tiranë është një shfaqje e jashtëzakonshme e sëmundjes së demokracisë shqiptare, e cila ashtu siç ka nxjerrë në pah qartësisht duart e pista që shkatërrojnë zgjedhjet në Shqipëri, ka nxjerrë krejt në pah të gjithë pafuqinë shkatërruese të sistemit të drejtësisë”, ka deklauar Edi Rama.

Në vijim të deklaratës së tij, thuhet:

“Mes një padrejtësie më shumë në turbullirën e nëndallgëve, ku vegjeton në kalbëzim të vazhdueshëm sistemi i drejtësisë dhe i një drejtësie që do t’i ngrinte ata mbi dallgë në emër të së drejtës së popullit sovran, gjykatësit zgjodhën dje të bëjnë padrejtësinë e radhës në dëm të popullit.

Jam i bindur se shumëkush pret nga unë që sot t’i akuzoj, me të drejtën e Zotit e të ligjit që këtë herë janë qartësisht në krahun tonë, ata pesë gjykatës që mbrëmë u rreshtuan në krahun e grabitësve të votës, e dhunuesve të ligjit e pengmarrësve të këtij vendi. Por mua me vjen për ta vetëm shprehja: Fali Zot, se s’dinë se ç’bëjnë!

Ky është vendi ku nga sallat e gjyqeve ka dalë në pranga kryetari i opozitës, kanë dalë e dalin vijimësisht të humbur viktima krimesh apo arbitraritetesh të rënda, kanë dalë e dalin përditë të shpronësuar trashëgimtarë të ligjshëm pronash. Ashtu sikundër ky është vendi ku nga sallat e gjyqeve kanë dalë të lirë, madje krejt të pafajshëm, gjithfarë keqbërësish, nga ata me pushtet politik tek ata me duart e lyera me gjak të pafajshmish a të ndyera me zullume të pashembullta në dëm të vendit apo të qytetarëve pa përkrahje. Sigurisht ka pasur edhe raste kur drejtësia ka dhënë drejtësi. Por natyrën dhe vlerën e sistemit të drejtësisë në një vend nuk e përcakton numri i vendimeve të drejta, por fuqia mbrojtëse nga padrejtësia. E kjo fuqi në Shqipëri është tmerrësisht e dobët dhe me dobësinë e saj vret liri, dhunon të drejta, shkatërron individë, familje, mbarë popullin, duke thelluar papushim plagë shumë të rënda për shoqërinë e ardhmërinë e vendit tonë.

Drejtësia shqiptare nuk mbrojti dot mbrëmë as vetë të drejtën e popullit sovran për të mos u vjedhur në votën e vet, për të mos u shkelur në të drejtën e vet themelore të zgjedhjes, për të mos u mohuar në lirinë e vet më esenciale për rendin demokratik. Madje ai trup gjykues nuk bëri asnjë përpjekje për të dhënë arsyet e një vendimmarrjeje të një rëndësie kaq të veçantë, të cilën vendi e priste me frymën pezull. Përmes një teksti thuajse të pakuptimtë, ku shkeleshin hapur bashkë me logjikën kushtetuese e juridike edhe vetë logjika e të shkruarit të gjuhës shqipe, Kolegji Zgjedhor i mbylli përsëri derën drejtësisë. Mbrëmë disa festuan hipur mbi kurrizin e drejtësisë, shumë të tjerë u ndjenë keq nën peshën e padrejtësisë.

Por, e vërteta është se fjala e fundit në këtë betejë për drejtësinë nuk është thënë ende dhe vendimi i mbrëmshëm na shton fuqinë për të luftuar deri në fund që e drejta të shkojë në vendin e vet. Ne do ti ridrejtohemi Kolegjit Zgjedhor ku do të kërkojmë të drejtën tonë në bazë të Kushtetutës, ligjit dhe detyrimit të patjetërsueshëm ndaj popullit sovran.

Ditët në vijim do të vijojmë të komunikojmë me opinionin publik dhe të ndajmë me shqiptarët në çdo hap shqetësimin por edhe vendimet tona për t’i dalë zot një situate ku po merr formë të plotë diktatura e faktit të kryer. Sot unë dua t’ju drejtohem miqve dhe partnerëve ndërkombëtarë të Shqipërisë duke u thënë se për ne vendimi i mbrëmshëm është këmbana më e fortë e alarmit për humnerën ku mund të rrëshqasë ky vend.

Ky vendim për ne është absolutisht i papranueshëm dhe sot nënvizojmë me forcë domosdoshmërinë e një ekspertize ndërkombëtare, që të mund të garantojë në kohë përputhjen e vendimmarrjes ligjore për çështjen e zgjedhjeve të 8 majit me standardet e botës demokratike, ku Shqipëria nuk mund të integrohet përmes zgjedhjesh të grabitura ditën për diell e pastaj të vulosura nga trupa gjykues tërësisht të nënshtruar ndaj pushtetit. Ekspertiza ndërkombëtare e ofruar nga vetë miqtë dhe partnerët ndërkombëtarë të vendit tonë është e vetmja mundësi në këto kushte për të hedhur dritë në një rrugë ligjore që përndryshe mbetet plotësisht e errët dhe s’mund të çojë askund tjetër, përveçse në thellimin dramatik të krizës së zgjedhjeve, të drejtësisë e të vetë ekonomisë në Shqipëri.

Shqipëria s’duhet ta humbasë mundësinë e kësaj ekspertize si rrugëdalje e vetme nga kjo krizë e rëndë dhe bota demokratike, vetë Bashkimi Europian që monitoron nga afër Shqipërinë në rrugën e integrimit, s’mund ta lejojë humbjen e kësaj mundësie, për të kuptuar deri në fund të vërtetën lidhur me zgjedhjet.

Le të vazhdojmë betejën duke besuar fort tek e vërteta, duke luftuar hap pas hapi për të drejtën dhe duke u përgatitur ditë pas dite për rezistencën e pashembullt që na takon të bëjmë në rast se e drejta do të merret përkohësisht peng me vulë gjykate. Humbësit nuk mund të bëhen fitimtarë dhe fitimtarët nuk mund të humbasin. Fitorja jonë në Tiranë u pa nga Shqipëria mbarë, e panë të gjithë miqtë dhe partnerët ndërkombëtarë të Shqipërisë. Ajo fitore shkëlqen çdo ditë e më shumë sa më shumë përditë ata që duan ta grabisin, nxjerrin në dritë natyrën e vërtetë të këtij regjimi dhe problemin e vërtetë të këtij vendi që është në duart e pista të Saliut, ka përfunduar kreu socialist në deklaratën e tij të dhënë sot nën atmosferën e publikimit të vendimit të Kolegjit Zgjedhor, sipas të cilit, me 81 vota më shumë Lulzim Basha do të jetë kryetari i ardhshëm i Bashkisë së Tiranës.