Lajme Shqip Wednesday, 08 June 2011 16:53

Tiranë – Kandidati i koalicionit “Aleanca për Qytetarin” për kryebashkiak të Tiranës, Lulzim Basha siguroi sot, se “cilido qoftë verdikti përfundimtar për procesin zgjedhor do ta pranoj atë”, ndërsa shtoi se “është detyrë e të gjithëve të pranojmë këtë verdikt, sepse ligji qëndron mbi të gjithë”.

Gjatë një prononcimi për mediet, Basha nënvizoi se “është e papranueshme për cilëndo palë që të bëjë presion ndaj Kolegjit Zgjedhor, pasi ky është një presion i mirëfilltë ndaj drejtësisë”.

“Rivali im ka zgjedhur rrugë tjetër: të ndërmarrë një hap të paprecedentë, duke kërcënuar dhe duke i bërë presion Kolegjit Zgjedhor me anë të një letre publike, madje edhe sot në ekran”, tha Basha, ndërsa shtoi se “numërimi i çdo vote është veprimi më i drejtë dhe më i ligjshëm edhe pse Rama nuk mendon kështu”.

Më tej, kandidati për kryebashkiak vuri në dukje se “në themel të Kushtetutës dhe Kodit Zgjedhor që është votuar me konsensus, në themel të të drejtave universale të lirive të njeriut dhe në themel të demokracive të SHBA-së dhe BE-së, qëndron parimi i numërimit të çdo vote”. Sipas tij “barbari është mosnumërimi i çdo vote”.

Basha solli në vëmendje se, gjatë gjithë këtij procesi, partnerët ndërkombëtarë kanë qenë të pranishëm dhe kanë folur njëzëri, duke u bërë thirrje të gjitha palëve të ndjekin institucionet ligjore, shtetin ligjor dhe të pranojnë rezultatin.

Sipas tij, bashkësia ndërkombëtare ka qenë gjithashtu e qartë kur deklaron se “dhuna dhe kërcënimet për dhunë nuk kanë vend në këtë proces”.

“Askush nga bashkësia ndërkombëtare nuk e ka vënë në dyshim vendimin e Kolegjit Zgjedhor, i vetmi që e bëri këtë është z.Rama. Çdo votë është numëruar dhe zëri i qytetarëve është dëgjuar. Nuk ka drejtësi më të madhe në një demokraci se sa kjo. Dhe ky është interesi më i mirë i vendit”, përfundoi kandidati i maxhorancës për kryebashkiak të Tiranës, Lulzim Basha.