Lajme Shqip Tuesday, 09 April 2013 15:24

Lil Wayne, Ron Howard, Scarlett Johannsson dhe Kim Kardashian, janë të gjithë në një vijë, kur bëhet fjalë për reformat e drejtësisë penale.

Ata bënë pjesë në grupin e më shumë se 100 artistëve që i bënë thirrje presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës që të përqendroj vëmendjen në ndryshimin e ligjit për drogat. Manjati i repit Russell Simmons ka ndihmuar në mbledhjen e koalicionit të yjeve të muzikës dhe shoubizit që i paraqitën këtë kërkesë të martën presidentit amerikan Barack Obama.

Ky koalicion artistësh ka lavdëruar përpjekjet e presidentit për të reformuar sistemin e burgosjes së të varurve nga droga, por insistojnë që “ka ardhur koha” për të ecur para duke zëvendësuar dënimin me burg me intervenime dhe rehabilitimin e atyre shkelësve të ligjit të cilët nuk janë të dhunshëm.

Grupi i yjeve që përfshin edhe Jennifer Hudson, Nicki Minaj, Susan Sarandon dhe Will Smith, po ashtu kërkojnë nga presidenti Obama që të krijoj një panel për të trajtuar kërkesat për rastet e faljes dhe për të mbështet një masë e cila i mundëson gjykatësve që të heqin dorë nga shqiptimi i masave minimale të burgosjes.

“Është qenësore që të ndryshojnë si ligjet për drogën në këtë shtet dhe si po gjenerojmë zgjidhje pozitive që lënë ndikim afatgjatë në rindërtimin e shoqërisë sonë”, Simmons tha, duke cituar të dhënat e Departamentit të Drejtësisë të cilat tregojnë se si Shtetet e Bashkuara të Amerikës burgos më së shumti qytetarët e saj, sesa cilido shtet tjetër në botë, raporton REL. 

Pothuajse gjysma e të burgosurve në ShBA, janë të dënuar për kundërvajtje me substanca narkotike.