Lajme Shqip Thursday, 26 April 2012 11:33

Duka dhe Dukesha e Cambridge, Princ William dhe bashkëshortja e tij Catherine, e cila është e njohur si Kate, do e kalojnë 1-vjetorin e martesës së tyre, që u cilësua si martesa e shekullit, në privatësi të plotë. Dhe kështu ata do të reflektojnë padyshim për një vit i cili për ta ka qenë i mbushur me shumë evente.

Pas ceremonisë nga e cila ktheu sytë e gjithë bota, në eventin e parë publik ku u shfaq Kate ishte galaja e bamirësisë “Absolute Return for Kids” në të cilën mbante veshur një fustan të dizenjuar nga Jenny Packham. Ndërsa muaji Korrik shënoi vizitën mbretërore të çiftit në Kanada dhe Amerikë.

Ndalesa e tyre në Kaliforni duket se do të mbahet mend pasi çifti mbretëror mori pjesë në një darkë glamur mes yjeve të Hollivudit, bëhet fjalë për çmimet BAFTA. E pas një fejese të shkurtër, por një raporti të gjatë dashurie, çifti Will dhe Kate u shndërrua në të preferuarin e fansave të monarkisë britanike pasi ata kanë ditur të ruajnë statujën e tyre në publik.

Janë jo të paktë turistët nga e gjithë bota që vizitojnë pallatin mbretërore në Londër dhe kureshtja e tyre ngacmohet jo pak nga çifti i ri mbretëror të cilin e cilësojnë të jashtëzakonshëm. Një turiste amerikanë ka thënë: “Ata janë një çift i mrekullueshëm. Duhet të jenë një shembull i mire për këdo”.

William dhe Kate nga ana tjetër janë shndërruar në tepër fitimprurës për dyqanet e suvenirëve ku mund të gjesh gjithçka ka të bëjë me çiftin, momentet më të rëndësishme të tyre të jetës në publik. Një shitës rrëfen: “Ne kemi shitur shumë suvenire të William dhe Kate, sidomos në ditët e dasmës kemi pasur fitime të mëdha dhe tani padyshim që kushdo që viziton Londrën kërkon të marrë diçka që ka lidhje me çiftin”.

Detaje bëhen publike për ditët e ardhshme të çiftit. Ata shfaqen këtë 25 Prill në premierën e filmit “African Cats” dhe më 26 Prill do të jenë pjesë e dy pritjeve të organizuara për bamirësi dhe me këtë pjesëmarrje e mbyllin veprimtarinë e tyre publike pasi do të largohen menjëherë nga sytë e njerëzve sepse ata kanë preferuar një përvjetor martese vetëm të dy dhe në shtëpinë e tyre.