Lajme Shqip Tuesday, 28 June 2011 11:37

Ylli i rockut italian, Vasco Rossi i ka çuditur të gjithë me një deklaratë të papritur që ka bërë.

“Në fund të këtij turi, mbas 30 vitesh karrierë, do të mbyll i lumtur karrierën time dhe aktivitetin tim si rockstar”, tha Rossi.

Këngëtari i intervistuar nga kanali televiziv TG1, ka thënë se do të vazhdojë të merret vetëm me kompozim këngësh dhe se kjo do të jetë vera e fundit që ai po ngjitet në skenë.

Pra, sipas këtij njoftimi ka shumë mundësi që spektatorët e datës 1 dhe 2 korrik të koncertit që do të mbahet në Olimpicon e Romës, të jenë të fundit që ta shijojnë debutimin e tij në skenë drejt për së drejti.

Në fakt, gjatë shfaqjeve të tij të fundit është dukur i lodhur. Madje, më 22 qershor në San Siro, është ngjitur në skenë me një orë vonesë, gati për të anulluar koncertin për shkak të problemeve fizike, lodhjes.

Njoftimi që ai ka bërë, nëpër forume dhe rrjete sociale është pritur si një dush i ftohtë nga dashamirësit e tij, të cilët i luten që ai të mos e lërë skenën.

Shpresa e tyre e vetme ngelet që Vasco të organizojë ndonjëherë koncerte surprizë. (lajmeshqip.com)