Lajme Shqip Wednesday, 28 October 2015 16:45

Mediat sociale janë bërë pjesë e pandashme e jetës së të rinjve. Dhe si pasojë, një pjesë bukur të madhe të kohës ata e kalojnë në telefonat e tyre mobil, duke u informuar me lajmet e fundit, duke ndjekur trendet e modës në botë, apo edhe vetëm duke i shikuar fotografitë e shumta, të cilat njerëzit i postojnë në Twitter, Facebook apo Instagram.

Por, kohëve të fundit, rrejti social i cili po dominon në botë, sidomos për postimin e fotografive dhe videove 15-sekondëshe është Instagrami. Njerëzit bëjnë çmos për të fituar sa më shumë ndjekës në llogarinë e tyre, sidomos të famshmit nga bota e muzikës, filmit, modës etj.

E ajo e cila në mediat botërore është shpallur mbretëreshë e Instagramit, me 51.8 milionë ndjekës, është Taylor Swift. Pushteti dhe fama e kësaj vajze tinejxhere vetëm sa po shkon duke u rritur, transmeton Express i KTV-së.

Njerëzit në mbarë botën duket se nuk dinë të ngopen me gjithçka që Taylor bën, qoftë në karrierën e saj muzikore, mënyrën se si shpalos detaje nga jeta e saj private, faktin se shoqërohet me emra të njohur të showbizzit etj. Megjithatë nuk ka rëndësi se cila është formula e suksesit të bukuroshes nga Nashville-i, por rëndësi ka të marrë sa më shumë ndjekës dhe pëlqime në Instagram.

Pas saj, e dyta për nga dominimi në këtë rrjet social, nuk është kush tjetër përveç Kim Kardashianit. Bota ende nuk e di mirë cili është talenti që e veçon bukuroshen amerikane, por megjithatë ajo renditet e dyta në listën e personave më të pëlqyer në Instagram, me 49.6 milionë ndjekës.

Por, Kim nuk është e vetmja anëtare e familjes Kardashian, e cila ka miliona ndjekës në Instagram. Motra e saj 18-vjeçare, Kylie, i ka gjithsej 39.9 milionë ndjekës. 20-vjeçarja Kendall, e cila është modele shumë e suksesshme, i ka poashtu 39.2 milionë ndjekës.

Khloe Kardashian i ka 34.2 milionë ndjekës, Kourtney i ka 27 milionë ndjekës, madje edhe nëna e tyre i ka 9 milionë ndjekës në Instagramin e saj. Pra nëse i llogarisim, vetëm kjo familje, e cila duket se po e dominon botën e showbizit, i ka rreth 200 milionë ndjekës në këtë rrjet social.

Sigurisht se listës së të famshmëve që pëlqehen shumë nga të rinjtë në Instagram, nuk ka si t’i mungojë edhe diva e muzikës pop, Beyonce, me 48.5 milionë ndjekës, pastaj Selena Gomez me 47.7 milionë ndjekës, Justin Bieber me 41.1 milionë ndjekës, Nicki Minaj me 36.3 milionë ndjekës, Miley Cyrus me 30.3 milionë ndjekës, Jennifer Lopez me 28.7 milionë ndjekës dhe Rihanna me 27.8 milionë ndjekës.

Por, një gjë është e sigurt, sa më shumë njerëz që interesohen në atë që poston, aq më shumë suksese do të arrish në atë çfarë bën. Dhe të famshmit e kanë shfrytëzuar këtë gjë në favor të tyre personal, duke u pasuruar në krah të famës dhe jo gjithmonë falë talentit.