Lajme Shqip Wednesday, 20 November 2013 14:35

Të tjera pamje vijnë nga Lazarati fshati me kanabis ku parcelat me bimën narkotike gëlojnë dhe policia ende nuk ka ndërmarrë një operacion për të hyrë brenda.

Këtë herë është Stresi, repisti provokues, i njohur mes të rinjve, i cili përmes instagram poston 3 foto të vizitës së tij në Lazarat.

Këto ditë Stresi publikon parcelat me kanabis të cilat kanë rrethuar shtëpitë dhe madje gati po mbulojnë ato. Ndërkohë që në një foto tjetër ai ndodhet në një dhomë të mbushur me kanabis i cili pasi është mbledhur nga parcelat është në përpunim e sipër për tu bërë gati për t’u trafikuar.

Stresi ka marrë madje dhe një lopatë të madhe dhe pozon sikur po punon si punëtor mëditës në fshatin në jug të Shqipërisë.

Stresi ka informuar fansat e tij se shpejt do të vijë në bashkëpunim me Fjolla Morinën me këngën “E bojm tym”. Dhe nga fotot mbase kjo këngë mund t’i kushtohet Lazaratit, ose videoklipi mund të jetë me pamje nga Lazarati.

Ndërkohë që pak ditë më parë rivali i tij në art Noizy publikoi një këngë kushtuar Lazaratit “me kall 3-fletshat” /shqiptarja/