Lajme Shqip Wednesday, 01 August 2012 11:15

Sipas burimeve të BBC-së, në Poloni janë tubuar grupime katolikësh dhe veteranësh që protestojnë kundër një koncerti të Madonnës, pasi ai bie në një ditë me përvjetorin e Kryengritjes së Varshavës.

Protestuesit po bëjnë thirrje për bojkotimin e shfaqjes së të mërkurës, e cila vjen 68 vjet pas revoltës së qytetit kundër pushtimit nazist. Shqetësimin e tyre organizatorët e kanë marrë në konsideratë duke rënë dakord për të treguar një klip të shkurtër për ngjarjet e vitit 1944 para performancës së “divës së popit”.

Çdo vit, polakët përkujtojnë 200.000 jetët e humbura gjatë kryengritjes, prandaj dhe janë të indinjuar që diva e popit do të mbajë koncert pikërisht në këtë ditë. Një grup katolik i quajtur “Krucjata Mlodych”, ose Kryqëzata e Rinisë, ka filluar një fushatë në internet duke u bërë thirrje njerëzve që të mos marrin pjesë në koncert. Sipas tyre më shumë se 50.000 njerëz kanë nënshkruar për fushatën e tyre “Don’t go to see Madonna”(Mos shko të shohësh Madonën). Gjithashtu, ata akuzojnë këngëtaren për ofendim të besimit të tyre nëpërmjet përdorimit të kryqit që digjet dhe kurorës me gjemba në skenë. Ata thonë gjithashtu se ajo promovon pornografinë dhe devijimin seksual.

Tabelat promovuese të koncertit përreth kryeqytetit janë shkarravitur me shenjën e ushtrisë polake, që ka qenë ushtria më e madhe nëntokësore në Evropën e pushtuar nga nazistët.