Lajme Shqip Monday, 28 October 2013 15:33

Orinda Huta, personazhi i dashur i ekraneve shqiptare ka rrëfyer dje në një intervistë për “Vizioni i Pasdites”, projektet e saj të afërta në televizion e këngë. Ndërsa ka lajmëruar rikthimin në muzikë, këngëtarja, që prej kohësh është edhe prezantuese e autore në disa projekte televizive, ka folur edhe për thashethemet e fundit që kanë qarkulluar për të, të cilat vinin në pikëpyetjet autenticitetin e gjoksit të Orindës… Gjatë bisedës në studio, artistja – kështu jemi mësuar ta prezantojmë prej vitesh – ka mohuar në mënyrë kategorike këtë lajm, duke shpjeguar edhe zanafillën e tij. Ajo ka folur sakaq edhe për sezonin e ri të “Next”, ku këtë vit do të jetë autore, e ku pritet të ndodhin disa ndryshime… 

“Të gjitha punët që unë kam bërë gjatë vitit, janë lidhur me fjalën “Next”, pasi aty filloi gjithçka. Para tri viteve fillova me “Next”, dhe ishte e çuditshme, sepse unë kalova, nga këngëtare, në fushën e prezantimit. Por nuk e pata të vështirë, sepse ishim disa prezantues, nuk isha vetëm dhe kisha mbështetjen e gjithsecilit. Kështu unë u rrita profesionalisht”. 

Tani, e ndjen veten më shumë prezantuese apo këngëtare? 
Në fakt, këto vite unë i jam përkushtuar shumë pjesës së prezantimit. Televizioni kërkon shumë mund dhe shumë kohë. Kështu, ka qenë pak e vështirë që të shkëputem për t’u marrë me muzikë. Megjithatë muzika është dashuria ime e parë, ndaj kurrsesi nuk do ta lë pas dore. Shumë shpejt unë do të vij me një këngë të re, e cila do të shoqërohet edhe me një video. Kënga do të publikohet pas dy javësh. Mezi po pres të rikthehem, jo vetëm me këtë këngë, por edhe me një tjetër që ne po e përgatisim ndërkohë. 
Kënga, është me dedikim? 
Jo, nuk është me dedikim (qesh). “Asgjë s’më ndan nga ti” është fraza që na mundoi pak, por tekstshkruesi i këngës, që është Turjani, e gjeti menjëherë e tha se kjo është fraza që i shkon. 
Të kishte marrë malli për studion e regjistrimit? 
Më kishte marrë malli dhe vazhdoj të kem mall për muzikën. Gjatë këtyre viteve ka pasur momente që, përveçse mall, ndihesha edhe keq që isha larg muzikës. 
Ndërkohë, do të vazhdosh me emisionet? 
Po, do të vazhdojë “Next”-i, i cili këtë sezon do të vijë i rikonceptuar, me prezantues të rinj, me rubrika të reja. Ndërkohë, “Wedding” do të jetë gjithashtu i mbushur me risi; është gjithashtu “Jetë e re”. Audicionet janë mbyllur tashmë dhe do të përzgjidhen disa nga ata që kanë ardhur për të ndryshuar diçka në trupin e vet. Gjithashtu është emisioni me Gentin, që mua më pëlqen shumë dhe mezi pres që të fillojë transmetimin. 
Cilin prej tyre ke më shumë përzemër? 
“Next”-in! Ndonëse këtë vit unë do jem mbrapa totalisht, ai mbetet prodhimi që kam më shumë përzemër. 
Ndërkohë Orindë, së fundmi je bërë pjesë e faqeve rozë, me një lajm që thoshte se ke bërë ndërhyrje në gjoks… 
Pikërisht. Ndonëse nuk jam kundër operacioneve, kur vjen puna tek ndërhyrjet në gjoks nuk jam edhe aq pro (qesh). Të paktën për momentin. Historia e këtij lajmi është kështu: Unë postova në “Facebook” një foto të “Muse” (program i ‘Tring’) përpara disa kohësh, me fustanin rozë të marrë nga “Geraldina Sposa”, fustan i cili në pjesën e gjoksit ka kupa dhe për pasojë kraharori dilte më i mbushur. Por nuk është e vërtetë në mënyrë absolute që kam bërë operacion plastik. Nuk kam bërë asnjë ndërhyrje, në asnjë pjesë të trupit. /bw/