|
|
e Premte, 06 Korrik 2012 09:45 E shndërruar në një aktore të famshme, protagoniste në disa filma të fundit të bujshëm të Hollivudit, aktorja Mila Kunis duket se raportet me mediat nuk i ka aspak miqësore.
Jo rrallë ka dalë publikisht për t’i mohuar informacionet e botuara duke i cilësuar si spekulime të mëdha. Dy rastet më të fundit janë ato informacione që kanë folur për një raport të aktores me ish-bashkëshortin e Demi Moore, Ashton Kutcher dhe më herët me Justin Timberlake i cili në fakt ka një lidhje të qëndrueshme me aktoren Jessica Biel, me të cilën do të lidhë kurorë këtë verë.
Ka të famshëm që shpesh zgjedhin të heshtin kur publikohen të tilla informacione, por Mila Kunis ka vepruar ndryshe duke i mohuar ato publikisht që në momentin e parë dhe në një intervistë për revistën “Elle”, aktorja 28 vjeçare ndër të tjera ka treguar se për të fama ka një çmim të konsiderueshëm pasi ajo nuk mund të shoqërohet lirisht.
“E kam tepër të vështirë të takojë një mashkull. Askush nuk më kërkon takim sepse unë nuk e di ku mund të takohemi. Nuk mund të shkoj askund. Mundohem të jem një vajzë normale beqare, por e di që e kam të pamundur sepse ky çmim duhet paguar për famën”.
Ajo është aktorja e famshme e filmit “Black Swan”, por edhe filmat komedi kanë qenë pika e saj e fortë. Për këtë ajo është shprehur: “Mua më pëlqen humori në jetë dhe mendoj se nuk ka arsye pse humorin të mos e përcjell edhe në kinema. Ka disa njerëz që nuk e pranojnë një femër të bëjë karagjozllëqe në filma, por për mua nuk ka asgjë të keqe,” ka deklaruar ajo.
