Lajme Shqip Tuesday, 03 November 2015 08:28

Obsesioni ynë i ri muzikor, Dua Lipa, është vajza e radhës ikonike londineze në krijim e sipër. Kështu nis shkrimin revista “Nylon”, e cila ka promovuar videoprojektin më të ri të këngëtares shqiptare,‘Be the One’, raporton emisioni”Express” i KTV-së.

Kënga do të jetë edhe në albumin debutues të Lipas, i cili do të publikohet në vitin 2016. Me regji dhe produksion të Nicole Nodland, videoja paraqet pop këngëtaren sensacionale të veshur me disa pallto të jashtëzakonshme gëzofi, derisa sillet vërdallë lokacioneve skenike në Londër.

“Për mua “Be The One” ka të bëjë me vetëbesimin, këmbënguljen dhe luftën për atë çfarë do”, është shprehur Lipa nëpërmes email-it për Nylon. “Në këtë pikë, ka të bëjë me një lidhje, por vërtet është qëndrim që unë përpiqem ta sjell në gjithçka në jetën time”, ka thënë ajo.

Kjo nuk është hera e parë që kjo revistë shkruan për Duan. Një javë para lansimit të “Be the one”, Nylon ka realizuar një intervistë me këngëtaren si dhe ka rrëfyer rrugëtimin e saj drejt karrierës muzikore. Për këtë revistë, Lipa ka përshkruar muzikën e saj si një pop i errët.

Një bisedë 15 minutëshe me Lipën dhe e kupton se ajo mund të ketë një imazh të vajzës së keqe nga jashtë, por nga brenda është një person shumë i dashur, shkruan ndër të tjera “Nylon”. Sipas revistës, Dua nuk ka frikë nga të qenit një pop yll dhe ajo mendon se tani është koha e duhur që femrat të dominojnë në industrinë e modës.

Ndonëse ka realizuar disa cover-a, nëpërmes së cilëve ka dëshmuar se ka një vokal të veçantë. Dua ka debutuar në skenën muzikore me këngën “New Love”, për të cilën ka bashkëpunuar me producentët Andrew Wyatt dhe Emile Hayne, të cilët po ashtu kanë bashkëpunuar edhe me Lana Del Rey-n.

Pavarësisht krahasimeve që i janë bërë me dikë si Del Rey, me të cilën gjithashtu ka të njëjtin menaxhment, zemra e Lipës rrah për hip hop. Sipas revistën Nylon, disa prej reperëve favoritë të saj janë Schoolboy Q dhe Chance The Rapper.

“Kam kënduar gjithë jetën time. Babai im ishte muzikant. Me origjinë jam nga Kosova, por kam lindur dhe jam rritur në Londër. Jam rritur duke dëgjuar muzikë nga Bob Dylan, David Bowie dhe Sting. Këtë lloj muzike dëgjonte babai im. Tingujt e muzikës së tyre i dëgjoja rrugës për në shkollë. Por, mua më pëlqenin vajzat e mia. Më pëlqente Nelly Furtado dhe Pink. Ishin favoritet e mia, i dua shumë. Më pëlqen të mendoj se muzika e tyre më ka ndihmuar të kuptoj çfarë më pëlqen. Pastaj dolën Destiny’s Child dhe kjo ma ndryshoi jetën”, ka rrëfyer Dua.

Pavarësisht nëse ndodhet në ndonjë fushë të blertë ose në një dhomë të zbrazët, Lipa gjithmonë duket se vërtet po argëtohet. Deri në fund të vitit, kurrë s’do të mund të harroni emrin e saj.

Dua ka treguar që kur ishte 15-vjeçare jeton vetëm. “Jam e rritur në Londër, ku edhe kam lindur. Pastaj jam zhvendosur në Kosovë, ku punon babai im dhe kur i mbusha 15 vjet, u thashë prindërve: “Këtu nuk ka asgjë për mua dhe dua të kthehem në Londër”, ka deklaruar Dua Lipa për Nylon.