Lajme Shqip Wednesday, 21 March 2012 13:21

Ndryshe nga shfaqjet e vitit të fundit, Madonna rikthehet me një video të nxehtë, ashtu siç di të bëjë vetë ajo. Imashet e klipit të saj shumë shpejtë janë kthyer në më të klikuarat e këtyre ditëve, duke bërë xhiro nëpër botë.

Bëhet fjalë për videon “Girl Gone Wild” e cila e sjell Madonnën tek fansat e saj por edhe tek kurreshtarët imazhe bardh e zi, në skena të nxehta që të kujtojnë edhe një herë kohën e një lloj orgjie në videot e saj.

Janë dy fotografët Mert Alas dhe Marcus Piggott ata që kanë menduar për një video bardhë e zi të artistes 53-vjeçare, koreografia e së cilës është kuruar në çdo detaj nga koreografi Oleg Zhezhel.

Duket se është kjo strategjia e këngëtares e cila do të rikthehet me një turne, për të cilin pritshmëria rritet me shpejtësi nga dita në ditë. Tanimë dihet që ajo do të ngjitet në skenat e Amsterdamit, Berlinit, Abu Dhabit, Stambollit, Nju Jorkut dhe Los Angeles.

Ndërsa datat italiane të këtij turneu, i cili po paraprihet nga publikimi i këtyre videove tejet provokuese, do të jenë në Milano më 15 qershor dhe një ditë më pas do të jetë në Firence. Por për fansat italianë, të cilët kanë shprehur interes të jashtëzakonshëm, është menduar edhe një tjetër datë, 12 qershori në stadiumin Olimpiko të Romës, pasi kërkesat për bileta të fansave italianë kanë qenë të jashtëzakonshme.

Turneu botëror i Madonna-s do të nisë më 29 maj dhe do të ndalet në 26 qytete evropiane përpara se të nisë rrugëtimin në Amerikën e Veriut, në Amerikën e Jugut dhe në Australi, ku nuk është ngjitur në një skenë koncerti prej 20 vjetësh. Ndërsa albumi i ri i Madonnës do të jetë në shitje në të gjithë botën prej 26 Marsit.