|
|
e Shtunë, 14 Korrik 2012 10:00 Ka ardhur koha që të rifreskoni stilin e thonjve që keni përdorur deri më tani me modelet më të freskëta të artit të pedikurës. Një palë sandale klasike apo pantofla të thjeshta, patjetër që duhen kombinuar me një pedikurë të veçantë.
Kur është fjala për bukurinë, janë detajet e vogla ato që e bëjnë ndryshimin, prandaj duhet t’i kushtoni sa më shumë vëmendje manikurës dhe pedikurës gjatë lyerjes së thonjve.
Gjëja më e mirë që ka pedikura, ndryshe nga manikura, është që ajo qëndron për një kohë të gjatë, prandaj dhe duhet kujdes i veçantë kur zgjedhim dizajnet.
Çdo sezon tërheq vëmendjen e mijëra femrave me modele të reja, prandaj, këtë vit do të jenë në modë gurë të shndritshëm, llakë me reflekse të arta, ngjyra jeshile, rozë, e verdhë, gri, blu të kombinuara me një refleks rrezatimi, pra produktet e duhura që do t’ju bëjnë të jeni unike në stilin tuaj.
Për ju që dëshironi të keni një stil ultra femëror, dizajnet që përmbajnë motive me lule janë perfekte për thonjtë tuaj. Përdorni mjetet e duhura për të realizuar këto dizajne, siç është brusha dhe në kushte shtëpiake, nëse nuk keni mjetet e duhura, mund të përdorni shkopinj dhëmbësh për t’i dhënë formë dizajnit tuaj.
(LajmeShqip.com)




