Lajme Shqip e Hënë, 06 Gusht 2012 07:48

Nuk është nevoja që të bëhemi dramatikë, ose të ekzagjerojmë me ekspozimin e reklamës për të qenë në qendër të vëmendjes. Këtë gjë e ka kuptuar më së miri marka e njohur “Cavalli” e cila do të lançojë një koleksion të mrekullueshëm me detaje intriguese, të cilat do të tërheqin  vëmendjen e gjithë mediave. Veshje për adoleshentët, me motive rebele, intriguese dhe mjaft ekstravagante.

Aline Weber, Simone Nobili, Kendra Spears, Josh Beech, Alexandre Cunha, Hailey Clauson janë të rinjtë që kanë modeluar në mënyrë perfekte përpara aparatit fotografik. Ata e demonstrojnë më së miri qëllimin dhe motivin e këtij koleksioni, me një look të vërtet adoleshentësh, të cilët mendojnë se janë në çdo gjë perfekt.

Një stil arrogant, makijazh me ngjyra të rënda, të ndezura dhe copat e printuara me lëkurë kafshësh (leopard, tigër) janë alternativat e ardhshme të stilit të markës Cavalli për sezonin e ri.

Një material tjetër që nxjerr në pah kjo markë për këtë sezon është edhe gëzofi, i cili ju dhuron një pamje mjaft atraktive dhe intriguese për t’u shikuar. Xhupa me dizenjo të ndryshme, pantallona lëkure të zeza, me motive tigri ku në përgjithësi janë ngjyrat e errëta ato të cilat dominojnë në këtë koleksion.

Kjo veshje ekstravagante padyshim që duhet të kombinohet edhe me aksesorët e duhur, prandaj dhe kjo markë ju ka sjellë ide të shumëllojshme se si të krijoni stilin tuaj unik nga individët e tjerë. Byzylykë me modele madhështore, ora, çanta lëkure, varëse me dizenjo të krijuara dhe dizenjuar nga kjo markë do t’ju mundësojnë atë paraqitjen shpërthyese që gjithmonë keni ëndërruar të keni një ditë.

Në botën e bukurisë kjo markë arrin të paraqesë një varietet të qëndrueshëm stili. Kur është fjala se si të stilojmë flokët për t’i përshtatur me këto veshje, atëherë mjafton një model i thjeshtë, flokë të ndarë në mes, të drejtuar me piastër, ose një model të fryrë rastësor.

(LajmeShqip.com)