Lajme Shqip Monday, 02 November 2015 16:16

Aktorja e njohur Kate Winslet nuk është aspak adhuruese e rrjeteve sociale dhe i ka ndaluar në të gjitha format që ato të përdoren ato në shtëpinë e saj.

Aktorja e filmit “Titanic” kritikon rrjetet e tilla si Twitter, Facebook dhe Instagram, duke thënë se këto rrjete janë duke dëmtuar vetëbesimin e femrave të reja dhe mund të çojnë në çrregullim të ushqimit.

“Këto rrjete sociale kanë një ndikim të madh në vetëbesimin e femrave të reja, sepse e tëra çfarë bëjnë këto femra është të zbukurohen me qëllim që njerëzve t’u pëlqejnë”, ka thënë Winslet për revistën “The Sunday Times Culture Magazine”.

“Dhe çfarë vjen pas kësaj? Çrregullimi i ushqimit. Dhe kjo bën që të më vlojë gjaku. Pra, kjo është arsyeja pse në shtëpinë time nuk përdoren asnjë nga këto rrjete sociale”, ka shtuar aktorja, transmeton Koha.net.

Po ashtu ajo luan në filmin e ri për themeluesin e kompanisë gjigante Apple, Steve Jobs. Kate Winslet në një intervistë ka thënë se ajo është mjaft teknofobe.

Ajo gjithashtu ka shtuar se ajo dhe burri i saj, Ned Rocknroll, telefonat e tyre i karikojnë në katin e parë të shtëpisë në dhomat e veçanta para se të shkojnë në shtrat, sepse ajo është e shqetësuar se mund të bëhen të varur nga telefonat.

Aktorja 40 vjeçe ka tre fëmijë, Mia, 15 vjeçe, Joe, 11 vjeç dhe djalin 23 muajsh, Bear.