Lajme Shqip Thursday, 05 April 2012 13:45

Kate Middleton, pjesëtarja më e re e familjes mbretërore të Mbretërisë së Bashkuar, tashmë është pjesë edhe në muzeun e statujave të dyllit në Londër. Statuja e saj tanimë gjendet pranë statujës së bashkëshortit të saj, Princit William, dhe në mes të pjesëtarëve të tjerë të familjes mbretërore.

Por statujat e çiftit nuk gjenden vetëm në këtë muze, pasi më herët ato kanë zënë vend në muzetë e Nju Jorkut dhe Amsterdamit, megjithëse me Dukeshën e Kembrixhit të portretizuar në një stil ndryshe nga ai mbretërori i muzeut Madame Tussauds të Londrës.

Në Londër, realizuesit e statujës janë frymëzuar nga poza e famshme e çiftit në fejesën e tyre, imazh ky që ka bërë xhiron e botës në vetëm pak sekonda. Catherine Middleton mban veshur në këtë statujë dylli saktësisht fustanin blu, të cilin e ka mbajtur veshur në ditën e shpalljes zyrtarisht të fejesës në Pallatin Mbretëror në Londër.

Jo vetëm kaq, në statujën e saj gjendet gjithçka ajo mbante në ditën e fejesës, përfshirë edhe unazën me gur diamanti të fejesës. Një menaxher i muzeut ka deklaruar: “Njerëzit nga e gjithë bota duan ta shohin atë sepse ajo është një grua e bukur në tërë dimensionin e kësaj fjale. Ajo është një person model i jashtëzakonshëm dhe unë jam i lumtur që një njeri i tillë është pjesë e familjes mbretërore”.

Mësohet se statuja tjetër e cila do të zërë vend në muzeun e të famshmëve do të jetë figura e Mbretëreshës Elizabet, dhe pikërisht imazhi i saj në Jubileun e Diamantit që do të mbahet më vonë gjatë këtij viti.