Lajme Shqip Wednesday, 31 July 2013 12:14

Sopranoja shqiptare me famë botërore, Inva Mula është përzgjedhur të jetë fytyra e vitit për fushatën publicitare të markës së njohur të orëve zvicerane, “Baume & Mercier”.

Ylli i operas ka nënshkruar kontratën me kompaninë e njohur vetëm disa javë më parë dhe shumë shpejt pritet që të shfaqet edhe reklama e saj e parë… Sakaq, nëse i referohemi jetës profesionale, Mula sapo është kthyer nga festivali “Un violon sur le salle”, që mbahet çdo vit në Royan të Francës. Aty sopranoja ka performuar me orkestrën e operas së Parisit përpara 50 mijë spektatorëve të ulur në rërë. Sigurisht që me nisjen e sezonit të ri, Inva Mula do të vazhdojë shfaqjet e saj në teatrot më të famshëm botërorë. Por deri atëherë ka kohë, shkruan Ballkanweb.

Pushimet familjare tashmë kanë nisur dhe për sopranon këto ditë po kalojnë si mos më mirë. Në fotot e postuara në “Facebook”, Mula shfaqet shumë e lumtur krah të birit Anthony, që tashmë i është bërë shok. Megjithëse mungojnë fotot me Ninën tashmë 1-vjeçare dhe bashkëshortin Hetem Ramadani, jemi të bindur që këto ditë relaksi përkrah familjes janë të papërshkrueshme për divën e muzikës operistike…