Lajme Shqip Tuesday, 03 November 2015 16:48

U largua nga Kosova për në Suedi si fëmijë në vitin 1992, për t’u shndërruar sot në një yll atje.

Bëhet fjalë për të riun shqiptar Gëzim Gashi, i cili po korr suksese të jashtëzakonshme në shtetin suedez.

Që nga viti 2011 ai u zhvendos në Los Angeles për të vazhduar ëndrrën e tij për t’u futur në industrinë më të madhe të muzikës.

Për Telegrafin Gëzimi tha se rruga për të arritur deri këtu ishte shumë e vështirë dhe këtë histori do ta rrëfejë në një event të organizuar nga kryeministri suedez.

“Me 19 nëntor do të jem me një event bamirësie të organizuar nga kryeministri suedez, aty do të rrëfej historinë time prej refugjati deri sot dhe jam i vetmi artist që do të performoj”, tha Gëzimi, i cili sapo ka hapur një kompani së bashku me Andreas Carlsson.

“Andreas është producent, i cili ka punuar me Celine Dion, Britney Spears, Backstreet Boys, Katy Perry e shumë të tjerë dhe unë jam shef i marketingut për “Academy of Music and Business” në Suedi dhe së shpejti do të hapim edhe në Los Angeles”, shtoj tutje artisti duke premtuar se një shkollë të tillë do ta hapë edhe në Prishtinë.

“Hey ya” titullohet kënga e artistit shqiptar, të cilën do ta publikoj së shpejti për të debutuar në tregun ndërkombëtar të muzikës.

Kënga është e punuar bashkë me Simon Erics, një këngëtar dhe producent i njohur në Suedi dhe pritet që projekti të ketë një sukses të madh.