Lajme Shqip Thursday, 18 October 2012 12:00

Tiranë – Austriaku Felix Baumgartner ka arritur të bëhet personi i parë në botë që kalon shpejtësinë e zërit duke u hedhur nga 39 kilometër lartësi. Ai ka arritur shpejtësinë maksimale prej 1.342 kilometra në orë.

43 vjeçari u hodh nga lartësia 39 kilometër duke thyer rekordin e rënies pikiatë. Austriaku deklaroi se ai për pak sa nuk e la këtë mision pasi pjesa e shikimit në helmetën e tij ishte mjegulluar.

U deshën më pak se 10 minuta që ai të zbresë. Nga fundi ai hapi parashutën. Kur zbriti në tokë, ai ra në gjunjë dhe ngriti grushtin në shenjë triumfi.

Helikopterët e morën atë nga vendi i rënies. Duke folur më pas, Baumgartner tha: “Më besoni, kur je aty në majë të botës, nuk bëhet më fjalë për rekorde apo për të dhëna shkencore. E vetmja gjë që do është të kthehesh gjallë në tokë”.

Si rregull, ai duhej të hidhej në pozicionin delta, që nënkupton kokën poshtë dhe krahët pas. Por në bordin e kontrollit filluan të shihnin me ankth kur në sekondat e para, ai thjesht rrotullohej, pa arritur të kapë këtë pozicion.

“Kur po rrotullohesha në sekondat e para, kurrë nuk mendoja se do humbisja jetën, por po zhgënjehesha se po humbja rekordin. Kam punuar shtatë vite për këtë gjë,” tha ai.

Por përvoja e tij e gjatë me hedhjet bëri që ai të fitonte sërish pozicionin e duhur. Nëse kostumi i tij do ishte dëmtuar, kjo do ishte fatale për të.

Baumgartner ishte në rënie të lirë për 4.20 minuta. Ai ka thyer një rekord që kishte 50 vite që mbahej nga Joe Kittinger i Forcave Ajrore Amerikane.

Joe ishte personi që ishte në kontakt me Baumgartner gjatë hedhjes. Joe e vendosi rekordin në vitin 1960 kur u hodh nga një lartësi 31 kilometra. Rekordi i tij për rënien e lirë do mbetet megjithatë, pasi ai ishte 4.30 minuta në rënie të lirë, kurse Baumgartner 4.20 sekonda. (LajmeShqip.com)