Lajme Shqip Tuesday, 23 July 2013 13:12

Hoxha ka qenë në Paris dhe Bruksel i dërguar i Shërbimeve Sekrete të mbretit Zog. Ky është përfundimi në të cilin ka arritur studiuesi Vasfi Baruti në librin e tij “Enver Hoxha në optikë të re”. Në pjesën e dytë të intervistës në “Gazeta Shqiptare” për këtë monografi, ai flet për jetën në rini të diktatorit, duke cekur rolet në teatrin e qytetit të Korçës, debatin me Sabiha Kasimatin, marrëdhënien e Hoxhës me këngëtaren franceze Piaf, rrëfimin që ka bërë për të tek bashkëshortja Nexhmije Xhuglini…

Si trajtohet fëmijëria, shkollimi, për çfarë shquhej Enveri, subjektivizmi dhe objektiviteti në vlerësimin e tij?

Për traditë të familjes së Hoxhatëve, në breza kishin dalë klerikë të arsimuar, edukimin e parë për tre-katër vjet Enveri e mori në Mejtep, shkollë fetare me cikël të mbyllur, për klerik i lartë i arsimuar në Turqi apo vende të tjera arabe, por pa e mbaruar përjashtohej nga shkolla, për ndonjë paudhësi fëminore, që shquhej. Vazhdoi mësimet në shkollën shqipe “Drita” dhe që në klasën e parë e në vazhdim ishte tre apo katër vjet më i madh se shokët, prandaj dhe s’mund të mos ndjehej komandant i tyre, duke vringëlluar atë thuprën e thanës që e mbanin mësuesit për të vendosur rregull e disiplinë. Vazhdoi Liceun Francez të Gjirokastrës, për dy vjet, dhe me mbylljen e tij, tre vjetët e mbetura i mbaroi në Liceun Kombëtar të Korçës, që njihej me emrin Liceu Francez. Enveri ishte një fëmijë inteligjent, por me rezultate nën mesatare, madje edhe me provime në vjeshtë, në Liceun e Korçës, me notat më të ulëta në shkencat e natyrës dhe afër mesatares në lëndët shoqërore, si histori e gjeografi.

Në një biografi të botuar dy vjet më parë “konstatohet” se tek Enveri nuk binte në sy ndonjë gjë e veçantë për t’u shenjuar, ai nuk shquhej si një adoleshent karizmatik, përveç “një lloj angazhimi në teatër dhe një rol episodik që ai ka luajtur (B.F). Kësaj i thonë t’i vesh të vërtetës një fashë të zezë, pasi Enveri që fëmijë i vogël, me atë papionin dukej si një lord i vogël, shumë fotozhenik, Enveri kishte prirje për aktrim dhe letërsi apo histori. Në teatrin e shoqërisë “Studenti”, Enveri nuk kishte rol episodik, por role të rëndësishme, siç ka mbetur në gazeta “Demokratia” e 31 marsit 1928: “… Nën impulsin e Enver Hoxhës dhe të shokëve të tij qyteti do të shijojë vepra të Molierit, Bomarshesë etj. Në pjesën e Molierit ‘Doktor pa dashka’ studenti Enver Hoxha luan dy role, të Valerit e të Thiboltit”. Mesa shihet, Enveri ishte protagonist në rolin e organizatorit të teatrit dhe vazhdoi të aktrojë me grupin edhe kur ishte nxënës në klasën e tretë të Liceut të Korçës. Aftësia e tij për të shkruar u shfaq disa ditë pasi kishte mbaruar Liceun e Korçës, me fjalën e tij mjaft të ndjerë në ceremoninë mortore për përcjelljen e Vehab Ciut, një ndër shumë të paktë studentë i lauruar me çmim shumë të lartë, që rrallë jepej nga qeveria Franceze për studentë vendës e të huaj, paçka se në fjalën e tij shfaqi dhe një kufizim të ndjeshëm ideor, në gojën e një prifti të lashtë për kotësinë e jetës.

Në botimet partiake Enverit i jepen merita të pamerituara, që as arsyeja s’i pranon: “… Në moshën 12-vjeçare Enveri bashkohet me lëvizjen e protestave në Gjirokastër kundër pushtuesve të huaj” (1978). Ose, Enveri “rrëfehet” se ishte dashuruar me Moskën dhe luftën patriotike të rusëve, rrëfim i gatuar me fantaste politike e asfare i besueshëm për Enverin fillorist 10 a 11 vjeç atëherë: “Që i vogël, në bankat e shkollës, fillova të të dua me gjithë shpirt, o Moskë e madhnueshme. Kjo dashuri lindi në zemrën teme të njomë kur unë këndova për herë të parë luftën tënde të pavdekshme patriotike kundër Napoleonit, kundër invadorit francez …” dhe plot fantaste çmendurake shkruar për gazetën “Pravda” në 800-vjetorin e Moskës, nëntor 1947.

Është përfolur shumë bursa e Enverit në Francë, cila është e vërteta sipas jush?

Në tetor 1930 liceisti Enver fiton një bursë shtetërore për studime në Universitetin e Montpeljer, në seksionin e Botanikës dhe për këtë bursë u kaluan tri barrikada ligjërisht të pakapërcyeshme: Bursa jepej për nxënës me rezultate të larta në mësime dhe Enveri mbaroi liceun me rezultate nën mesatare; Enveri që kishte mbushur moshën 22 vjeç detyrimisht sipas ligjit duhet të kryente shërbimin ushtarak, ndërsa mbreti nuk kishte vënë kufizime politike për shkollimin me bursë të fëmijëve të kundërshtarëve të tij polikë, por për bursa jashtë shtetit, për fëmijë të emigrantëve politikë kishte kufizime të forta, Enveri kishte kunatin Bahri Omari në Itali, një kundërshtar politik i fortë i Zogut dhe këto tri pengesa veç e veç e së bashku e bënin të pamundur që Enveri të fitonte bursë, megjithatë kishte dhe një shteg shumë të ngushtë ku mund të kalohej: lëshimi bëhej “për nevoja specifike në interes të shtetit”, siç e përcaktonte ligji. Në këto rrethana Enverit iu gjend kushëriri i dytë i tij, Abedin Hoxha, që mbante detyrën e Kryetarit të Shërbimit Sekret të Shtetit – Enveri rekrutohej për shërbime të veçanta në Francë dhe vërtet dokumentet mungojnë, por kemi postulatin e babait të historisë, Plutarkut: Kur mungojnë faktet, vër në punë argumentet. Megjithatë, argumenti “shërbime të posaçme për shtetin” merr vlerë hap pas hapi me të papritura befasuese të Enverit student, i përjashtuar si student e diplomat në Konsullatën e Brukselit. Për B. F. merita për bursën e Enverit i njihet Eqerem Libohovës, ministër i Punëve të Jashtme, i cili nuk ishte ministër i Jashtëm, i tillë ishte Rauf Fico.

Enveri në memoriaristikën e tij është i pasinqertë me rrëfimin për gëzimin e madh që ndjeu kur kishte lexuar në gazetë emrin e tij që kishte fituar bursë për Histori-Gjeografi dhe hidhërimin e madh në Ministrinë e Arsimit, kur i thanë se bursa e tij i ishte dhënë një tjetri, por e gjitha kjo është një pështjellim sepse në asnjë gazetë të kohës nuk gjenden të botuara emrat e liceistëve që kishin fituar bursë jashtë shtetit dhe që këtu rrëzohet alibia e Enverit me debatin e “padrejtësinë”, që i ishte bërë në Ministrinë e Arsimit.

Cila ishte marrëdhënia e Enverit me Mirash Ivanajn?

Enveri për më shumë se tre vjet nuk dha asnjë provim apo dhe në dha ndonjë, ishte mbetës, por “Rregullorja për studime jashtë shtetit”, e dekretuar nga mbreti dhe e botuar në Fletore Zyrtare e shkurtit 1929, është shumë kategorike se studentët që mbeten në provime, u pritet bursa (Art. 7) dhe detyrohen t’i kthejnë shtetit bursën e marrë ( Art. 12). Në rregullore përcaktohet qartë se inspektorët e ngarkuar për të ndjekur vijimin e përparimin e stuDentëve jashtë shtetit, tri herë në vit i dërgojnë ministrisë raporte të posaçme për punën, sjelljen e rezultatet në provime për çdo student (Art. 19). Dhe ndërsa Enveri nuk jep apo mbetet në provime dhe raportet e inspektorëve i dërgohen ministrisë tri herë në vit se është mbetës apo jo paraqitës në provim, përsëri Enveri merr bursën, ajo nuk i ndërpritet siç e kërkon ligji. Enveri vërtet nuk jepte provime, por një punë tjetër në shërbim të shtetit e bënte. Nëse kjo nuk është arsye dhe ka një arsye tjetër, cila mund të ishte ajo për partizanët e mendimit ndryshe? E çdo fillim ka e një fund: ministri Mirash Ivanaj, më 2 shkurt ’34 lëshon urdhrin që studentit Enver Hoxha në mars i pritet bursa, ama kur Enveri vjen në pushtet, ia mori jetën në mënyrë mizore.