Lajme Shqip Monday, 15 August 2011 15:36

Aktorja e madhe hollivudiane Eliza Dushku, me origjinë shqiptare nga babai i saj, prej një jave ka qënë për një vizitë në Shqipëri. Gjatë këtij udhëtimi, ajo është dekoruar “Qytetare Nderi e Tiranës” dhe “Ambasadore e Turizmit në Shqipëri”, titull i cili i është dhënë nga presidenti i Shqipërisë, Bamir Topi.

 

Turi i saj turistik në Shqipëri ka nisur nga Tirana dhe ka vazhduar me Durrësin, Beratin, Korçën, Vlorën dhe Krujën. Pikërisht në ndalesën e saj këtë fundjavë në Krujë, ajo ka marr sërish një tjetër titull, “Qytetare Nderi e Korçës”, dhe kjo me të drejtë pasi babai i saj është nga Korça. Eliza në mesnatën e mbrëmshme ka qënë e pranishme në ambjentet e “Birra Korçës”, në praninë edhe të të fejuarit të saj, ku ka shprehur pëlqimin maksimal për pijen tradicionale të ‘Qytetit të Serenatave’. Në nder të aktores, kryetari i Bashkisë së Korçës, Niko Pelishi, e ka nderuar atë me titullin “Qytetare Nderi”.

Kur është ftuar në skenën e kësaj feste, Dushku nuk ka nguruar të kërcejë valle popullore shqiptare.

“Gjyshërit e mi kanë qenë shqiptarë, babai im është nga Korça dhe unë jam nga Korça. Ju falënderoj për vlerësimin që më bëni dhe e përgëzoj këtë festë”, ka thënë Eliza.

Eliza e cila ka marrë me vete një ekip kameramanësh nga Amerika, me mbështetjen e fotografit të njohur Fadil Berisha, aktorit Blerim Destani dhe sopranos Inva Mula, ajo do të përgatisë një dokumentar turistik promovues për Shqipërinë.

Dhe akoma pa përfunduar dokumentarin mbi Shqipërinë, promovimi i saj për kulturën shqiptare ka nisur menjëherë. Dje ajo ka postuar në faqen e saj zyrtare në FaceBook këngën “U bo vonë” nga Capital T, duke i ftuar 123.174 fansat e saj të dëgjojnë këtë këngë.

“Ky artisti kosovar “Capital T” është fantastik! Jam takuar me të sonte dhe ai performoi këtë këngë drejtpërdrejtë. Ai më duket si Jay-Z shqiptar! Dëgjoheni dhe e do e dashuroni këtë këngë, më besoni! Kërceni me të gjatë gjithë kohës! Kujdes, se do ju fiksohet në kokë për ditë të tëra!”, ka thënë Eliza.

Këtë javë pritet që Eliza të vizitojë Kosovën… Dhe kështu me rradhë trojet shqiptare po vizitohen nga një shqiptare e Amerikës, që po tregon interesin dhe respektin më të madh për vendin e origjinës së saj.  (LajmeShqip.com)