Lajme Shqip Saturday, 28 June 2014 18:33

Çifti Rama është në pritje të marrjes së një kredie, e cila do të përdoret për shtëpinë e re që po ndërtojnë në Surrel të Komunës së Dajtit në Tiranë.

Kryeministri i vendit, Edi Rama, është detyruar të rideklarojë pasurinë e plotë të tij dhe të bashkëshortes Linda Rama pranë Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, si pasojë e një shkëputjeje në procesin e deklarimit që ai pati gjatë kohës që drejtonte Partinë Socialiste.

Kësaj radhe, deklaratës së Ramës i shtohet shtëpia e banimit në fshatin Surrel të Komunës së Dajtit, në të cilën ai deklaron se e ka të ndarë me bashkëshorten dhe në total, shpenzimet për ndërtimin e saj kapin vlerën e rreth 400 milionë lekëve të vjetra, (396.077.410 lekëve të reja).

Në deklaratat e pasurisë të Edi dhe Linda Ramës theksohet se vetëm gjysma e vlerës së kësaj banese është paguar nga ta. Për pagimin e vlerës së plotë çifti është detyruar që të marrë një kredi në bankën Intesa Sanpaolo, me vlerë 80 mijë euro në tetor të vitit të kaluar, të cilën kanë nisur ta paguajnë me këste. Sa i përket tokës në Surrel, ajo deklarohet se është blerë nga të ardhurat e Linda Ramës me një vlerë që në total kap shifrën e 1,086,650 lekëve.

Çifti kryeministror deklaron se po jeton në një shtëpi me qira në kryeqytet dhe në deklaratë jepet vlera e plotë që ata paguajnë për këtë apartament. Nga ana tjetër, Linda Rama deklaron se ka dhënë hua një shumë prej 70 mijë eurosh pa interes. Kjo shumë u kthye pak kohë më parë në një debat mediatik dhe zonja Rama deklaroi se këtë hua ia kishte dhënë së motrës dhe këto të ardhura vinin nga kursimet që ajo kishte mundur të akumulonte nga puna ndër vite.

Ndërkaq të dy bashkëshortët kanë pakësuar të ardhurat e tyre përgjatë vitit 2013. Në deklaratë tregohet qartë se të ardhurat në llogaritë e tyre bankare janë ulur gjatë vitit të kaluar. Linda Rama deklaron se fiton rreth 1.010.016.2 lekë në një vit nga ekspertiza dhe disa të ardhura të tjera ekstra nga një apartament personal i lënë me qira dhe interesat bankare. Rama ka trashëguar nga i ati dhe një Studio Arti, me një sipërfaqe 62 metër katrorë, në rrugën “Muhamet Gjollesha”, pranë Komunës së Parisit, në një vlerë 25 milionë lekë të vjetra.

Edi Rama bën të ditur se ka trashëguar nga babai i tij, Kristaqi, dhe një koleksion punimesh, por që vlera e tyre nuk është përcaktuar akoma. Kryeministri ka deklaruar gjithashtu dhe 20 milionë lekë të vjetra të ardhura të krijuara si pasojë e shitjes së librit të tij, “Kurban”.

I biri i Kryeministrit, Gregori, si fëmija më i madh, deklaron se nuk ka asgjë për të deklaruar. Familja kryeministrore paguan rreth 5.8 milionë lekë të vjetra për qiranë vjetore. Ata banojnë në një nga apartamentet pranë rrugës “Sami Frashëri”, pranë Drejtorisë së Policisë së Tiranës.

Deklaratat e pasurisë së zyrtarëve u bllokuan për më se dy vite nga ILDKPKI-ja, nga drejtuesja e këtij institucioni, Zana Xhuka. Fillimisht faji iu vu ligjit që ndalonte publikimin e tyre, pa realizuar më parë arsyetimin aritmetiko-logjik të deklaratave të zyrtarëve. Pas ndryshimeve të fundit të ILDKPKI-së, të bëra nga Kuvendi i Shqipërisë, deklaratat e zyrtarëve u bënë publike.

(GSH)