Lajme Shqip Friday, 24 February 2012 13:05

Mbase ju duket e pamundur por gjatë natës, gjatë kohës së gjumit ju mund të arrini trupin perfekt. Tani, le të jemi më të qartë! Normalisht që ju nuk mund ta arrini një gjë të tillë për një natë, por ju gjatë natës mund të harxhoni kalori. Dieta e re e quajtur “Hibernation diet” pritet ta kërcënoj renomenë e dietës Atkinson, duke shfrytëzuar një zbulim krejt të ri në heqjen e kilogramëve të tepërt.

Mendoni që në gjumë mund të humbisni vetëm yndyrnat, të jeni vetëm në fazën anabolike që hormonet katabolike të jenë të bllokuar, që aminoacidet të riciklohen në përqindje të lartë, që të mos humbisni masën muskulore, që pas një gjumi të thellë dhe relaksues, të ngriheni të freskët dhe më të dobët? Kjo mund t’ju ndodhë realisht dhe juve.

Duke studiuar botën shtazore, të cilat gjithashtu hyjnë në gjëndje të hibernimit, shkencëtaret kanë vënë re se para hyrjes në gjumin dimëror, ata ngopen mirë me pemë, lëngje të ndryshme dhe mjaltë. Nuk ka ushqim me proteina apo diçka të ngjashme. Përfundimi në këto studime ka qenë edhe ndikimi i fruktozës në mëlçi, gjerësisht në deponimin e sheqerit në mëlçi dhe ndikimi i saj në organizëm gjatë gjumit të natës. Ky konkluzion ka qenë bazë e nisjes dhe ide që kushtet e ngjashme mund të arrihen edhe tek njerëzit, dhe studimet e para kanë rezultuar me fakte interesante.

Majk dhe Stuart Mekines (Mike & Stuart McInnes) janë zyrtarisht themelues të dietës së hibernacionit dhe nën këtë emër kanë autorizuar dhe botuar disa libra (The Hibernation® diet). Me profesion farmacist dhe dietist sportiv, kanë ndihmuar  sportistët profesional në realizimin e rezultateve më të mira. Nën mbikëqyrjen e tyre kanë qenë kampioni në boks Aleks Artur dhe fitues i medaljes së artë në biçiklizëm Kris Hoj. Sipas tyre, dështimi i sportistes Paula Redcliffe në maratonën Olimpike në Sidnej është direkt e lidhur me mungesën e depos së sheqernave në mëlçi, veçanërisht fruktozës.

Kur hamë ushqim të pasur me fruktozë (sheqernat nga pemët) ato transformohen në glikogjen në mëlçi. Kjo më tutje stabilizon nivelin e sheqerit në organizëm, gjë që mundëson që trupi të aktivizoj hormonet anabolike që janë përgjegjëse për ripërtëritje, që ndërtojnë qelizat e muskujve dhe të lëkurës. Këto hormone për punën e tyre furnizohen direkt nga yndyrat. Trupi ynë në vend që të merret me rregullimin e nivelit të sheqerit, merret me ripërtëritje dhe shpenzim të yndyrave, që na sjell dobi të dyfishtë. Nëse marrim një lug mjalt para gjumit, proçeset në organizmin tonë do të shkojnë në favorin tonë.

Përse mjalt dhe përse para gjumit? Përgjigja është e thjeshtë! Mjalti është burim i koncentruar i fruktozës, përmban materie ushqyese dhe është e shijshme. Fruktoza është “karburanti” kryesor i mëlçisë. Është një ndër sheqernat e thjeshta dhe nëse jo, edhe e vetmja që shumë lehtë konvertohet në glukozë (i vetmi sheqer që organizmi e përdor në proçeset oksiduese), dhe që nuk rrit nivelin e insulinës. Fruktoza e furnizon mëlçinë me glukozë, e cila e mban nivelin  duhur të glukozës në gjak.

Nëse mëlçia nuk furnizohet para gjumit, atëherë organizmi sekreton hormonet e stresit nga gjëndra adrenaline, që rrisin tensionin e gjakut dhe ritmin e zemrës. Këto hormone në vend që të djegin yndyrnat, degradojnë muskujt dhe eshtrat. Mëlçia duhet të liroj 10 gr glukozë çdo orë, — 6.5 për trurin, 3.5 për veshkë dhe qelizat e kuqe të gjakut. Shumica e njerëzve shkojnë në shtrat me mëlçi te varfëruar me glukozë, duke aktivizuar ne këtë mënyrë gjëndrat adrenaline dhe nuk ripërtërihen. Dhe nëse nuk ripërtërihen, yndyrnat nuk humbasin.

Është konstatuar se niveli i sheqerit në organizmin tonë gjatë gjumit, inkurajon sekretimin e gjëndrës pituitare, e cila sekreton një varg hormonesh të cilat mundësojnë oksidimin e yndyrave trupore dhe i shfrytëzojnë si burim energjie për proçesin e ripërtrirjes së organizmit gjatë natës. Gjithashtu, gjumi i mirë i natës është përgjegjës për sekretimin e hormonit të rritjes, i cili është “vrasës i yndyrnave”; prandaj gjatë dietave preferohet që gjumi të bëhet në dhomë të errësuar mirë.

Dhe tani disa fjalë për trajnimin gjatë dietës. Trajnimi me peshë inkurajon hormonet anabolike, këto djegin yndyrnat gjatë ripërtëritjes së organizmit por vetëm nëse janë krijuar kushtet adekuate për këtë. Kështu që, nëse kujdesemi për gjendjen e mëlçisë,trajnohemi me pesha dhe kemi gjumë të rregullt, suksesi është i garantuar. Autorët e dietës theksojnë se trajnimet 3 herë në javë, në kohëzgjatje prej 15 minuta i zëvendësojnë vrapimet e gjata apo aktivitetet e tjera aerobike.

Një lug mjalt në ditë para gjumit dhe gjatë natës do t’iu ndihmonte të humbisnit yndyrnat, të pushonit mirë dhe të fitonit fuqinë e muskujve, sigurisht nëse trajnoheni rregullisht dhe jo shumë gjatë. Bëni kujdes vetëm që gjatë ditës të mos i riktheni ato që i keni humbur gjatë natës. (LajmeShqip.com)