Lajme Shqip Monday, 24 June 2013 15:31

Ajo është këngëtarja më ‘in’ e momentit, ndërsa ai një prej reperëve më në zë në mbarë shqiptarinë.
Dafina Zeqiri dhe Dj Blunt, që prej kohësh përfliten për një histori dashurie, kanë vendosur që përgjigjen për të gjitha pikëpyetjet e ngritura ta japin në bashkëpunimin e parë mes të dyve, shkruan zhurnal.
“Mos e nal” është kënga që i ka bërë bashkë dy të dashuruarit, të cilët, të ndihmuar edhe nga Real 1, do të sjellin një prej hiteve më të suksesshme të kësaj vere.
Xhirimet e videoklipit janë kryer në Tiranë nga “Max Production”. Kënga e re është pjesë e albumit “Blunt për President”, që do të prezantohet më 12 korrik edhe për publikun e Tiranës… Por ky nuk do të jetë bashkëpunimi i fundit mes tyre, pasi vjeshta pritet të sjellë surpriza të tjera.
Kënga “Veç ty me t’pasë”, e cila do të prezantohet në shtator, do të shënojë bashkëpunimin e dytë mes të treve, Daffye-t, Blunt-it dhe Real 1.
Nga sa kemi mësuar, Dafina dhe Blunt-i kanë kaluar edhe disa ditë në bregdetin e bukur të jugut. Këto janë të rejat e fundit nga çifti më i ri i showbiz-it.