Lajme Shqip Friday, 24 June 2011 09:37

Los Angjelos – Komikja amerikane, Çellsi Handler, i përqeshi serbët në emisionin e vet “Chelsea Lately”, duke deklaruar se ata janë turp dhe zhgënjim.

Duke e komentuar interpretimin e këngëtares, Ejmi Uajnhaus, në Beograd, ku ajo u shfaq në gjendje të dehur dhe u largua nga skena me fishkëllima, Çellsi dhe mysafirët e saj, gjithashtu komikë, e kritikuan Serbinë.

“Nuk mund të besoj që serbëve, në përgjithësi, t’u lejohet të shkojnë në koncerte”, tha komikja dhe më pas e lexoi postimin e ministrit serb të Mbrojtjes, Dragan Shutanovac, të shkruar në profilin e tij në Fejsbuk pas koncertit, duke u habitur më pas se si serbët, në përgjithësi, kanë Fejsbuk.

“Koncerti i Ejmi Uajnhaus ishte turp dhe zhgënjim i madh”, lexoi Çellsi, ndërsa më pas shtoi: “Edhe vendi juaj është turp dhe zhgënjim i madh”.

Mysafirët e saj iu bashkangjitën kritikave.

“Koncertin e quajnë katastrofë. Ai është vendi ku ndodhën pastrimi etnik dhe gjenocidi, ndërsa ata mendojnë se koncerti i saj ishte më i keq se kjo”, komentoi njëri nga mysafirët.

Është për t’u habitur që Ejmi e zgjodhi Beogradin për fillim të turneut të saj evropian. “Ku mendonte të shkojë më pas, në Kazakistan”, pyeti mysafiri tjetër?