Lajme Shqip Wednesday, 26 June 2013 12:03

Ata që e mbajnë mendin Oktapodin Paul, i cili parashikonte ndeshjet e futbollitkohë më parë, kanë mundur ta shohin Dr. Burdushin duke e luajtur rolin e njëjtë, por ky i fundit parashikoi një “ndeshje” politike në Shqipëri.

E derisa Oktapodi Paul kishte parashikuar një seri rezultatesh të cilat dilnin saktësisht ashtu si parashihte, dr. Burdushi ia ka huqur sa i përket parashikimit të tij në lidhje me atë se cili kandidat do të fitonte zgjedhjet në Shqipëri.

Burdushi në emisionin “Zonë e Lirë”, kishte deklaruar me bindje se Sali Berisha do t’i fitonte zgjedhjet e 23 qershorit.

 “Ramën nuk mund ta shpëtoj dot sepse zgjedhjet me 23 qershor do t’i fitojë Sali Berisha. Këtë e kam parashikuar me vizionet e mia. Nëse Rama do të ketë probleme shpirtërore, nëse ai vjen tek unë, unë e shpëtoj. Për zgjedhjet nuk munde”, kishte thënë Burdushi, raporton Express.

Por, rezultatet e zgjedhjeve në Shqipëri tani janë krejt ndryshe.

Edi Rama ka shënuar fitore bindëse në zgjedhjet e 23 qershorit, dhe pritet të jetë Kryeministri i ri i Shqipërisë.