Lajme Shqip Sunday, 28 July 2013 15:30

Diva po përgatit shpërthimin e radhës! Edhe pse me një numër të madh hitesh në tregun muzikor, me një prodhimtari të jashtëzakonshme gjatë vitit, këngët e Aurela Gaçes priten gjithmonë me të njëjtin kuriozitet. Dhe gjithmonë përsëritet historia: kënga bëhet e njohur, pëlqehet dhe më pas dëgjohet kudo e nga të gjithë.

Megjithëse ka arritur në këtë fazë të karrierës, kur kënga mjafton të ketë firmën “AG” dhe bëhet me siguri hit, Aurela vazhdon të punojë me të njëjtin intensitet, duke u përkujdesur edhe për detajin më të vogël, sikur do të dalë për herë të parë në publik. Këtë herë ajo ka zgjedhur Vlorën për xhirimet e videoklipit më të ri, ku siç e shihni edhe në foto shfaqet mbi një jaht luksoz.

Lajmin e ka bërë të ditur vetë këngëtarja, e cila, në një prej postimeve në rrjetin social Facebook ka shkruar: “Dje isha në Vlorë, në mes të detit. E di, ju duket shaka, por deti më bëri telef. Kam edhe unë disa dobësi, si p.sh. më zë deti edhe pse jam nga Vlora… Pastaj deti s’të pyet nga je. E rëndësishme është që unë vdes për një çikë det”, ka përfunduar artistja, duke na zbuluar kështu edhe një prapaskenë të xhirimeve.

Edhe kënga ka pjesë nga Vlora, pasi është një përzierje e vokaleve të folkut vlonjat dhe ritmeve electronic house. Kënga është realizuar nga kompozitori Adrian Hila, i cili është bashkëpunëtor i hershëm i Aurelës. Për veshjen këngëtarja ka zgjedhur sërish dorën e stilistit Joni Peçi, që është njëherësh mik i afërt i saj. Sa i takon fiksimit të Aurelës, flokëve, ajo ka vënë në jetë fantazinë e saj të radhës, duke sjellë një look “të çmendur”, por të pagabueshëm, si gjithmonë.

Xhirimet e videoklipit nuk janë përqendruar vetëm në Vlorë, pasi Aurela ka dashur që të ketë pamje edhe nga “Crazy Calvin”. Xhirimet tashmë kanë përfunduar dhe ne mezi presim të shohim këngën dhe klipin, që do të na vijnë si dhuratë gjatë gushtit të nxehtë. /albeu.com/ Lajmeshqip/