Lajme Shqip Friday, 05 April 2013 09:50

Këngëtari, kitaristi dhe tekstshkruesi britanik, Mark Knopfler, ka anuluar koncertin e tij në Rusi, për shkak të qasjes së shtetit rus ndaj organizatave jo qeveritare.

Koncerti i këngëtarit ishte paraparë të mbahej më 7 korrik në Shën Petersburg, mirëpo ai ka bërë të ditur, se anulimi ka ardhur pas disa vendimeve të qeverisë ruse ndaj OJQ-ve.

“Lufta që ka shpallur Rusia ndaj grupeve jo qeveritare përfshirë këtu edhe Amnesty International dhe Human Rights Watch, më ka bërë që të anuloj koncertin tim të ardhshëm në Rusi që e kisha planifikuar për në muajin korrik”, ka shkruar ai në uebsajtin e tij.

“Gjithmonë më ka pëlqyer të performoj në Rusi për shkak të ndjenjave që kam ndaj këtij vendi dhe njerëzit janë të mirë. Por shpresoj se kjo klimë politike që po mbizotëron atje të ndryshojë së shpejti”, ka shkruar më tutje këngëtari.