Lajme Shqip Saturday, 31 March 2012 09:30

Pas një martese në fshehtësi të plotë, pas një periudhe reflektimi sa i takon jetës së saj profesionale, nga aktorja Megan Fox vijnë lajme të rëndësishme përsa i takon jetës së saj private. Mediat publikojnë lajmin se ajo është në pritje të fëmijës së saj të parë pas 2 vjetësh martesë me aktorin Brian Austin Green.

Aktorja e cila e ka nisur karrierën si modele, dhe që u shndërrua në një prej yjeve të Hollivudit falë protagonizmit të saj në filmin “Transformers”, duket se tani është duke menduar vetëm për jetën private.

Çifti ka preferuar të heshtë për këtë çështje dhe nuk ka bërë asnjë deklaratë publike, por një burim pranë tyre mësohet të jetë cituar nga revista “Star” dhe ka thënë se ky është një lajm i sigurt.

Ky lajm publikohet vetëm pak ditë pasi aktori i shndërruar në një idhull pas protagonizmit të tij në serialin “Beverly Hills”, Brian Austin Green nuk ngurroi të shprehte një dëshirë të madhe sipas tij, për të zgjeruar familjen.

Ndërsa në një intervistë të mëhershme, Green e ka cilësuar aktoren Megan Fox si nënë të shkëlqyer për djalin e tij, fryt i martesës të mëparshme.