Lajme Shqip Sunday, 30 June 2013 13:15

Afërdita Dreshaj, është artistja e radhës që po vuan nga profilet ‘fake’ në ‘Facebook’… Ylli i skenës sonë, në një bisedë me “Bluetooth”, veç projektit më të afërt në muzikë, ndan edhe shqetësimin e madh për një person që po përdor identitetin e saj në rrjetin social më të klikuar prej shqiptarëve… 
“Është dikush në ‘Facebook’ që kopjon çdo postim timin në rrjetet e tjera sociale dhe hiqet sikur jam unë, por në fakt ajo është një adresë false… Unë kam një llogari tjetër në ‘Facebook’. Ai/Ajo flet me të gjithë artistët e estradës, disa prej të cilëve edhe miq të afërt të mitë, dhe bën biseda nga më të ndryshmet. Aq gjenial është treguar personi në fjalë, sa ka hapur profile edhe në emër të motrës dhe shoqes sime të ngushtë, për ta bërë gjithçka të besueshme”, – tregon Afërdita. Bukuroshja shqiptare e Malit të Zi, thotë se ka në plan të bëjë një denoncim në polici për këtë punë, pasi po i hap probleme në marrëdhënie me të njohurit dhe fansat. Sakaq, duke kaluar në planin profesional, ky vit për Afërditën si modele ka qenë viti më i mirë, pasi ajo ka nënshkruar një numër shumë të madh kontratash të majme në para, nëpër të gjithë botën. Nuk mund të themi të njëjtën gjë për Afërditën këngëtare, pasi kohët e fundit ajo është ‘zhdukur’ thuajse fare nga skena, transmeton bw.
Por një lajm i mirë vjen edhe nga kjo sferë për adhuruesit e këngëtares. Dreshaj pritet të promovojë të hënën në një festë mes miqsh e gazetarësh, klipin më të ri, në bashkëpunim me Lumin, reperin kosovar të grupit Kaos. Kënga “SuperStar” është punuar nga producenti i njohur Blero dhe do të prezantohet edhe me klip në ekranin e “BBF”. Pyetjes sonë mbi të ftuarit në eventin e së hënës, Afërdita i është përgjigjur kështu: “Do të jenë miqtë e mi më të mirë. Ata që më përcjellin energji pozitive”. 
“E kam ftuar edhe Shpatin, – thotë bukuroshja duke qeshur, – por nuk e di në do të vijë”. Afërdita Dreshaj dhe Shpat Kasapi i dhanë fund historisë së tyre të dashurisë pas 6 vitesh lidhje, por Dreshaj nuk ka bërë ende asnjë prononcim për këtë fakt…