|
|
e Martë, 10 Janar 2012 16:00 Angli – Kate Middleton dje mbushi 30 vjeç. Dukesha e Kembrixhit, bashkëshortja e Princit Uilliam ishte personazhi kryesor i një feste të organizuar nga e motra Pipa dhe kunati Harry. Të gjitha detajet e festës kanë mbetur “Top Secret”.
Deri 12 muaj më parë njerëzit nuk dinin shumë për Kate Middleton, por sot ajo është një prej personazheve më popullore në botë dhe është shumë e dashur për anglezët. Mediat italiane kanë bërë një sonazh nga i cili kanë nxjerrë dhjetë arsyet përse Kate pëlqehet kaq shumë nga njerëzit.
1. Eleganca
Kate ka një sjellje dhe një elegancë të natyrshme, të denjë për një mbretëreshë. Sigurisht që edhe kurset, leksionet, rregullat dhe këshillat kanë patur ndikimin e tyre për ta transformuar në një grua shumë elegante.
2. Veshjet e zakonshme
Që prej fillimit Kate nuk dukej një person që shpenzonte shumë për veshjet. Sigurisht që për mbrëmjet gala mendojnë stilistët më të famshëm për veshjet e saj, por për sa i takon përditshmërisë, Kate ka ditur të jetë elegante pa shpenzuar shumë. Me pamjen e saj ajo ka frymëzuar shumë gratë e thjeshta.
3. Buzëqeshja
Shumë njerëz e kanë admiruar për buzëqeshjen e saj rrezendjellëse, që sa herë buzëqesh i jep shkëlqim fytyrës së saj.
4. Kujtimet në garderobë
Një ndër arsyet që pse njerëzit e kanë dashur ka qenë edhe besnikëria e saj ndaj garderobës së saj të vjetër. Shpesh herë është përmendur për daljen në publik me veshje të konsumuara më shumë se një herë, por Kate i ruan ato dhe i trajton me aq delikatesë, saqë në trupin e saj nuk venitet aspak bukuria e tyre. Kohëve të fundit ajo është parë të dalë në publik me një fustan me të cilin ka sfiluar në vitin 2002, rast në të cilin thuhet se princi Uilliam u dashurua pas saj.
5. Vjehrra dhe gjyshja
Lufta e nuses mes vjehrrës/njerkës dhe gjyshes është një betejë shekullore. Por për Kate nuk duket se ka qenë aspak betejë! Ajo është fotografuar duke buzëqeshur me Mbretëreshën, e cila njihet për karakterin e ashpër dhe me gruan e babait të Uilliam, Kamilla Parker Boules.
6. Aftësia për t’u përshtatur me njerëzit
Të gjithë ata që kanë patur fatin të takohen me të, kanë vërtetuar se Kate është një njeri mjaft human mbi të gjitha, dhe jo vetëm një princeshë. Çiltërsia e sjelljes së saj në rastet zyrtare ka bërë që për njerëzit të bëhet edhe më e dashur.
7. Motra Pipa
Disa prej njerëzve e admirojnë edhe për motrën e saj bukuroshe Pipa, shoqëruesen e dasmës. Nëse deri përpara disa muajsh Pipa nuk njihej, sot falë motrës së saj njihet në të gjithë botën, madje aq e famshme është bërë sa e gjithë bota flet për ‘të pasmet e Pipës’.
8. Zëvendësimi i Dianës
Duke frekuentuar dhe më pas duke u martuar me Uilliamin, Kate ka arritur që të mbushë e zëvendësojë Lady Dianën, princeshën e popullit, princeshën rebele. Deri tani Dukesha e Kembrixhit ka shfaqur stil, elegancë, paraqitje të pëlqyeshme në publik dhe ka bërë shume gjeste bujare, të gjitha këto cilësi të ngjashme edhe me Princeshën Diana.
9. Është martuar me një princ
Një ndër arsyet e tjera përse Kate i pëlqen njerëzve është sepse ajo ka realizuar ëndrrën e çdo vajze të vogël, është martuar me një princ.
10. Shembull model për veshje
Nëse Kate-t i rrinë mirë çorapet e holla dhe këpucët me takë të lartë, përse të tjerat nuk mund t’i mbajnë?! Kështu, shumë vajza dhe gra i kanë lënë pas mendimet se këto lloj veshjesh janë të vjetra dhe kanë filluar të ‘kopjojnë’ Kate-n.