Lajme Shqip Friday, 03 June 2011 09:15

Tetovë – Partia Demokratike Shqiptare mbrëmë mbajti tubim në Tetovë në të cilën lideri i partisë, Menduh Thaçi theksoi se kanë kapacitet t’i nxjerrin nga kriza dhe se mund të bëjnë atë nëse fitojnë 12 ose 13 vende në Kuvend.

“Ju jeni zemra e shqiptarisë dhe ju jeni ata që do ta nxjerrin popullin shqiptarë në Maqedoni nga kriza. Tetova së bashku me Gostivarin dhe Strugën, do ta ndihmojnë Shkupin, Kumanovën, Velesin, Manastirin, Prilepin dhe Resnjën për këtë”, u porositi Thaçi tetovarëve.

Ai përmendi se zgjedhjet e parakohshme janë shumë të rëndësishme për shqiptarët në Maqedoni dhe kërkoi të pranishmit të angazhohen që PDSH-ja të fitojë 12 apo 13 deputetë për, siç tha, ta pengojë përkeqësimin e gjendjes në të ardhmen.

“Punuam me shumë krenari ta arrijmë qëllimin tonë për realizimin e platformës partiake. Rrezikoj të them se kjo është platforma më e mirë politike që e kemi pasur dhe besoj se të gjithë do ta mbështetni. Ky është një moment historik dhe mund të mos ketë tjetër të ngjashëm me këtë”, tha Thaçi.

Thaçi theksoi se VMRO-DPMNE, LSDM dhe BDI frikësohen nga platforma e tyre.

“Do t’ju tregojmë se mangësitë që i kemi pasur në të kaluarën plotësisht i kemi përmirësuar. Për ne çdo punë është e vlefshme dhe për këtë apelojmë deri te ju, pakënaqësinë tuaj ta tregoni me votën tuaj kundër qeverisë. Populli kërkon zgjidhje për problemet që i krijoi kjo qeveri, ndërsa këto zgjidhje i ka PDSH”, porositi Thaçi.

Para të pranishmëve foli edhe sekretari i përgjithshëm PDSH-së Metin Izeti, si dhe kandidat për deputet në njësinë e gjashtë zgjedhore Sadije Ilazi, Merale Fertai dhe Imer Aliu.