Lajme Shqip Thursday, 02 June 2011 17:12

Tetovë – Duke zbatuar formën e kontakteve të drejtpërdrejta me qytetarët, PPD ka vlerësuar se arriti t’i informoj qytetarët shqiptarë me programin politik të kësaj partie dhe me rëndësinë e votës shqiptare. “Me këtë rast votuesi shqiptar e kuptoj rëndësinë e rikthimit të zërit politik të PPD-së në Parlamentin e Maqedonisë, përmes të cilit fuqishëm do të prezantohet fjala, forma dhe koncepti i të vepruarit shqip në Parlament dhe fuqishëm do të kundërvihemi ndaj çdo lloj mashtrimi politik siç ndodhi mandateve të fundit nga të ashtuquajtur përfaqësues legjitim të shqiptarëve në parlament, ku në emër të votës shqiptare u degraduan interesat afatgjate të shqiptarëve në Maqedoni dhe në mënyrë të turpshme vite me radhë po manipulohet me votën e shqiptarëve duke i lënë shqiptarët politikisht të jenë të pa definuar dhe me status te grupit etnik”, thuhet në reagimin e PPD-së. “Në këto takime të sinqerta dhe miqësore me qytetarët dhe me elektoratin e PPD-së, u prezantua edhe shqetësimi i tyre që ndërlidhet me kërcënimet dhe shantazhet si dhe me format tjera të komprometimit të votës shqiptare. Këto kërcënime paraqiten në forma të ndryshme nga të ashtuquajtura parti të mëdha. PPD apelon te të gjithë shqiptarët me të drejtë vote, mos t’i nënshtrohen kërcënimeve dhe shantazheve që vijnë nga strukturat politike e parapolitike shqiptare dhe as nga kërcënimet dhe frikësimet eventuale që mund të vijnë edhe nga strukturat e policisë maqedonase enkas të përgatitura nga ana e Ministrisë për punë të brendshme të Maqedonisë për ti frikësuar shqiptarët që të mos dalin në zgjedhje, sepse në këtë formë shumë më lehtë mund të dhunohet dhe të manipulohet vota e shqiptarëve.