Lajme Shqip Friday, 03 June 2011 14:19

Tetovë – Sot është dita e fundit e fushatës së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. Nëse shikojmë pas, në këto njëzet ditë të kaluara, duhet të them se jam krenar për fushatën e zbatuar nga ana e BDI-së, tha në konferencën e sotme për shtyp në selinë e partisë, kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti.

“Këtë e them, për shkak se ne në këtë periudhë nuk u morëm me oponentët tanë, e as që u kyçëm në ndonjë fushatë negative, por ne ishim mes njerëzve, mes popullit,  bashkëbiseduam për sfidat e përbashkëta, të cilat i kemi patur dhe të cilat na presin dhe për atë se si do të mundemi bashkë të ballafaqohemi sa më mirë në mandatin e ardhshëm”, tha lideri i BDI-së.

Në këtë fushatë, tha ai, BDI-ja ka arritur të tregojë se si duhet të duket një fushatë  moderne, e disiplinuar dhe pozitive.

“Jemi të bindur se që në këtë moment mund të konstatojmë se ia arritëm dhe  patëm sukses. Kënaqësia është edhe më e madhe kur mund të shpallim se fushata përfundoi pa asnjë incident, që dëshmon për një pjekuri demokratike. Për këtë shkak, kam dëshirë që në fillim të falënderojë të gjithë ata që në çfarëdo mënyre kanë kontribuuar  për këtë fushatë, si dhe të gjithë elektoratit të cilët treguan një përkrahje masovike në tubimet dhe mitingjet tona. Ju falënderoj se të gjithë ne BASHKË, morëm pjesë në një fushatë jashtëzakonisht të suksesshme, e cila kontribuoi për një ambient edhe më demokratik në vend”, thotë Ahmeti.

Ai në mënyrë të veçantë dëshiron të shpreh kënaqësinë për faktin se gjatë gjithë këtyrë ditëve të fushatës kanë arritur të dëshmojnë dhe të avancojnë imazhin e shqiptarëve si faktor stabiliteti, si element kyç i proceseve demokratike dhe si shembulli më i mirë i kulturës, vetëdijes dhe përgjegjësisë politike.

“Tani para nesh është sfida e radhës, e kjo është që ambientin e këtillë, ta ruajmë edhe të dielën, pra gjatë ditës së zgjedhjeve. Për Maqedoninë, e veçanërisht për avancimin e saj drejt vlerave civilizuese evropiane, nuk ka provim më të rëndësishëm se zgjedhje korrekte dhe demokratike, në të cilat të gjithë pa dallim, do të mund të shprehin lirshëm vullnetin e tyre politik. Kualiteti i zgjedhjeve do të jetë dëshmia më e fortë për përcaktimin tonë që sa më parë të bëhemi pjesë e shoqërive të zhvilluara dhe anëtar të NATO-s dhe BE-së”, tha kreu i BDI-së.

Ahmeti në fund, iu drejtua qytetarëve me porosi se fushata përfundoi dhe deri te ata ka arritur oferta e BDI-së dhe e oponentëve të tyre.

“Ne jemi më se të bindur se Ju do të merrni vendimin e drejtë. E unë, ju ftoj që, këtë vendim të dielën ta shprehni në mënyrë të lirshme, të përgjegjshme dhe të qetë. Të dëshmojmë një nivel të lartë të vetëdijes demokratike, dhe në mënyrë masive, festive, të zgjidhni ata të cilët e meritojnë besimin tuaj në mandatin e ardhshëm. Vetëm ashtu, me krenari dhe përgjegjësi, do të kontribuojmë në ndërtimin e ardhmërisë më të mirë për të gjithë ne”, tha në konferencë për shtyp lideri i BDI-së, Ali Ahmeti.